23.8 C
Pogradec
24.3 C
Korçë
24 C
Bilisht
23.1 C
Ersekë
23.3 C
Maliq
24.7 C
Liqenas
Friday, July 18, 2025

Investigim i BIRN/ Shkollat e fshatrave të lëna pas nga dixhitalizimi në Shqipëri.

- Advertisement -

Shkollat në zonat rurale të Shqipërisë po mbeten pas kur bëhet fjalë për përdorimin e mjeteve digjitale në mësimdhënie dhe komunikim.
Sa i përket përkushtimit dhe entuziazmit që sjellin në punën e tyre, Armela thotë se ajo dhe koleget e saj në një cep të largët të Shqipërisë juglindore nuk ndryshojnë nga koleget e tyre në qytet.

Megjithatë, mjetet që kanë në dispozicion “na bëjnë të pabarabartë”, tha Armela, e cila pranoi të citohej me pseudonim.

“Shpesh duhet ta përshtatim kurrikulën në varësi të burimeve që ka shkolla,” i tha ajo BIRN-it.

Diferenca më e madhe është në teknologjinë e informacionit (IT).

Shqipëria e ka shpallur prioritet kombëtar përhapjen e të ashtuquajturave ‘SmartLabs’ – laboratorë IT – në shkolla, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mjetet e nevojshme për të lulëzuar në një botë gjithnjë e më digjitale.

“Qëllimi është që deri në vitin 2026, ky projekt të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, duke shtuar edhe 654 SmartLabs të rinj dhe duke garantuar që çdo nxënës, nga veriu në jug, të ketë mundësi të barabarta për të zhvilluar aftësi digjitale në një mjedis modern dhe inovativ,” tha Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, e ngarkuar me zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Shqipëri.

Por ndërkohë që nxënësit janë të aftë në përdorimin e smartfonëve dhe laptopëve, aksesi në mjetet digjitale brenda klasës ndryshon ndjeshëm midis zonave urbane dhe rurale, duke ngritur shqetësime mbi përhapjen e pabarazisë digjitale.

Sipas rrjetit të aktivistëve shqiptarë Qëndresa Qytetare, interneti është i disponueshëm vetëm në 46 për qind të të gjitha shkollave, fillore dhe të mesme, dhe vetëm 5.3 për qind prej tyre kanë Wi-Fi.

“Kjo bie ndesh me parimin e barazisë në arsim,” tha Mateo Yskollari, analist i politikave arsimore në Qëndresa Qytetare.

Armela tha se shkolla ku ajo punon ka internet, por “shumë shpesh interneti bie, veçanërisht gjatë motit të keq dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike.”

Zonat rurale të neglizhuara

Shkolla në Lozhan, Shqipëri. Foto: BIRN/Armand Braho

Dixhitalizimi është fjala më e përfolur e kohës në Shqipëri, e lartësuar si zgjidhje magjike për burokracinë dhe joefikasitetin.

Por ndërsa kalimi në formatin dixhital mund të thjeshtojë procedurat dhe të ulë kostot, “mund të prodhojë efektin e kundërt kur bëhet fjalë për kategoritë vulnerabël,” tha Jordan Jorgji, pedagog në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë.

“Kategoritë më të cenueshme përballë pabarazisë dixhitale janë të varfërit, të moshuarit dhe ata që jetojnë në zona të largëta, larg qendrave urbane.”

“Kjo është hendeku më i ri, dhe pa investime për ta menaxhuar atë, në të ardhmen mund të krijohen hendekë kombëtarë apo rajonalë në epokën e revolucionit të madh dixhital.”

“Kështu, nuk përjashtohet mundësia që të moshuarit ose ata që nuk kanë njohuri dhe mjete teknologjike të përballen me barrë ekonomike në përpjekjen për të aksesuar shërbimet dixhitale.”

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 1,723 nga 3,659 institucione arsimore publike dhe jopublike në Shqipëri janë të pajisura me internet, nga të cilat 485 ndodhen në qarkun e Korçës.

Në Lozhan, pjesë e qarkut të Korçës, shkolla e përdor internetin shumë pak në procesin mësimor. Ajo nuk ka laborator IT dhe prindërit ankohen gjithashtu se shkolla nuk ka përfituar ende nga mjetet e komunikimit dixhital.

“Nuk ka asnjë platformë online për të marrë informacion mbi ecurinë e fëmijës,” tha Mimoza Hadri, nënë e dy fëmijëve.

“Shkoj fizikisht në shkollë dhe kontaktoj mësuesit kur dua të di rezultatet e tyre,” tha ajo. “Interneti nuk na ndihmon për asgjë përveçse për argëtim.”

E kontaktuar nga BIRN, Ministria e Arsimit e Shqipërisë përmendi përfitimet e një platforme kombëtare online të quajtur SMIP “e cila lehtëson komunikimin mes prindërve, mësuesve dhe nxënësve, duke e bërë procesin arsimor më të qartë dhe më efikas”.

Yskollari e kundërshtoi këtë, duke thënë: “SMIP është konceptuar si një mjet monitorimi dhe vendimmarrjeje për Ministrinë e Arsimit. Nuk është një platformë funksionale për mësimdhënie, njoftime ditore, detyra apo burime dixhitale për nxënësit dhe mësuesit.”

“Mësuesit e përdorin për të raportuar të dhëna, por jo për të zhvilluar procesin mësimor apo për të komunikuar me prindërit dhe nxënësit.”

Të lënë pas

Mimoza Hadri, një prind nga Shqipëria. Foto: BIRN/Armand Braho
Sipas të dhënave të vitit 2024 nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, rreth 97 për qind e territorit shqiptar mbulohet nga interneti mobil, por aksesimi në internetin me brez të gjerë bie në zonat rurale, ndërsa çmimi mesatar mujor mund të kalojë 15 euro.

Kjo mund të jetë shumë për pensionistët ose për ata që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

“Ne këtu kemi akses në internet, por shpesh ndërpritet; unë nuk e përdor fare internetin,” tha 73-vjeçarja Eleni Pilinci, e cila jeton në fshatin Peshkëpi, pranë Pogradecit, në kufi me Maqedoninë e Veriut.

“Kam dëgjuar për e-Albania, por fëmijët e mi e përdorin për mua. Brenda në shtëpi s’ka sinjal, ndaj lë telefonin jashtë.”

Furnizuesit e internetit shpesh neglizhojnë zonat rurale me popullsi të rrallë, ku kostot e investimit janë të larta dhe fitimet të ulëta.

Në Dardhas, afër Peshkëpisë, 69-vjeçari Fevzi Muçka tha se i duhet të marrë autobusin për në Pogradec dhe të paguajë për dokumentacionin, për të marrë shërbime që tashmë janë të disponueshme online.

“Në fshat, askush nuk merret me e-Albania,” tha ai. “Për çdo gjë që na nevojitet, duhet të shkojmë në Pogradec. Pensioni im është 10,000 lekë [100 euro]. Ato para zhduken nëse shkoj tri herë në Pogradec për një dokument.”

Shumë të moshuar në Shqipëri ndihen të lënë pas nga revolucioni dixhital. Armela tha se të rinjtë e zonave rurale nuk duhet lejuar të mbeten pas gjithashtu.

“Investimi në zona të largëta dhe me pak nxënës e banorë duket pothuajse i pamundur,” tha ajo.

BIRN – Armand Braho

Ky botim është i përkthyer në gjuhën Shqipe, ndërsa të drejtat e autorit i gëzon BIRN/balkaninsight.com. Në linkun shoqërues paraqitet artikulli autentik, në gjuhën Angleze: https://balkaninsight.com/2025/06/11/village-schools-left-behind-by-albanias-digital-rollout/

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit