Korça është gati të mirëpresë një sezon turistik plot aktivitete.
Ditën e shtunë, më datë 7 qershor, çelim zyrtarisht sezonin veror me edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavalit, një ngjarje që kthehet çdo vit në një pikë takimi për qytetarë, vizitorë dhe artistë nga vendi dhe bota.
Atmosfera festive do të pushtojë Korçën që prej orëve të paradites, ku sheshet dhe rrugicat do të mbushen me trupa artistike të veshura me kostume karnavalesh, duke sjellë ritëm, ngjyra dhe hare në çdo cep të qytetit, ndërkohë po gjatë paradites tek Pazari i Vjetër, do të prezantojmë ofertën turistike të Korçës dhe albumin fotografik ‘Korça The Heartland’. Ndërsa në mbrëmje, qyteti do gjallërohet me paradën e karnavaleve në bulevardin ‘Republika’ dhe zonën këmbësore, për të kulmuar në një ‘Carnival Party’ me muzikë live dhe performancë nga këngëtarja Rezarta Smaja dhe Dj.
E gjithë Vera në Korçë vjen me një kalendar festiv që e kthen qytetin në një skenë të hapur kulturore, ku çdo cep pulson nga gjallëria, muzika dhe arti. Evente të ndryshme ndërkombëtare do sjellin një atmosferë unike, jo vetëm për banorët, por edhe për turistët e shumtë që zgjedhin Korçën si destinacionin e tyre veror. ‘Spirit of Balkan’, ‘MIK Festival’, ‘Lumina Electronic Festival’, ‘Korça Beer Fest’, dhe netët magjike të ‘Korça Serenights’ janë vetëm disa prej momenteve që do të gjallërojnë qytetin tonë gjatë gjithë sezonit.
Korça nuk është thjesht një vend për të pushuar, është një përjetim i plotë kulturor, një mikpritje që e ndjen në çdo rrugicë dhe një energji që të mbetet gjatë në mendje.

