Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ka ngritur shqetësimin për ndërhyrjet që po kryhen në objektet historike të ish-Burgut të Spaçit, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve. Në një deklaratë zyrtare, kjo shoqatë që përfaqëson rreth 68 mijë anëtarë, ish-të përndjekur nga regjimi komunist, thekson se ndërhyrjet aktuale po rrezikojnë autenticitetin dhe karakterin historik të këtij monumenti kulture të kategorisë së parë.
Burgu i Spaçit në Mirditë, i njohur për rezistencën dhe sakrificat e mijëra të burgosurve politikë gjatë diktaturës komuniste, u shpall Monument Kulture në vitin 2007, duke u njohur si një prej simboleve kryesore të kujtesës historike kombëtare. Shoqata e të Përndjekurve Politikë evidenton se punimet, bazuar në vendimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore nr.600, datë 06.12.2024, janë kryer pa transparencë dhe pa konsultime me grupet e interesit.
Për këtë arsye, shoqata kërkon ndërprerjen e menjëhershme të punimeve deri në kryerjen e një vlerësimi të plotë historik dhe teknik. Gjithashtu, kërkon formimin e një grupi pune ndërinstitucional ku të përfshihen historianë, specialistë të konservimit, ish-të përndjekur politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në mungesë të një reagimi pozitiv dhe reflektimi institucional, shoqata paralajmëron marrjen e masave ligjore për të mbrojtur këtë simbol të vuajtjes dhe rezistencës së shqiptarëve ndaj diktaturës komuniste.
Shkresa e plotë:
Të nderuar,
Ne, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë me rreth 68 mije anëtar të përndjekur politik nga diktatura komuniste me seli në Tiranë, “Bulevardi Dëmshmorët e Kombit” nr. 3, me vendimin e kryesisë të datës 02 Qerdhor 2025 u vendos që, me cilësinë e të interesuarve dhe të angazhuar në ruajtjen e kujtesës historike kombëtare, ju drejtohem me këtë ankesë lidhur me punimet dhe ndërhyrjet që po kryhen aktualisht në objektet e ish-Burgut të Spaçit, një nga vendet më të rëndësishme të kujtesës së krimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç, MIrëditë. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist, ku diktatura dënoi me vdekje katër të burgosur edhe qindar vite burg për të tjerët.
Burgu i Spaçit është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë. Ky status është miratuar nga autoritetet shqiptare me vendimin nr. 656 , datë 5 dhjetor 2007. Kjo e bën Burgun e Spaçit një nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, veçanërisht për kujtesën e periudhës komuniste.
Në referencë të informacioneve të bëra publike dhe pamjeve në media e rrjete sociale, janë vërejtur ndërhyrje të cilat dukshëm dëmtojnë autenticitetin, imazhin dhe karakterin historik të këtij vendi, sipas një vendimi nga Isntituti Kombëtar i Trashëgimise Kulturore me nr.600 datë 06.12.2024 me objekt “ Ndërhyjre Konservuese e Restauruese në Burgun e Spaçit”
Ky është një akt i papërgjegjshëm dhe potencialisht i pakthyeshëm për një nga dëshmitë më të rëndësishme të vuajtjeve të mijëra të burgosurve politikë gjatë regjimit totalitar.
Burgut i Spaçit nuk është thjesht një rrënojë, ai është një simbol i rezistencës, i dhimbjes dhe i dinjitetit njerëzor përballë shtypjes. Ruajtja e tij e pandryshuar është një detyrim moral dhe kombëtar ndaj të gjithë atyre që vuajtën e humbën jetën atje, si dhe ndaj brezave të ardhshëm.
Burgut i Spaçit, si vend kujtese, nuk mund të trajtohet si një strukturë ndërtimore e zakonshme. Çdo ndërhyrje duhet të bëhet vetëm pas konsultimesh të gjera me institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore, me historianë, ish-të përndjekur politikë dhe shoqërinë civile. Mungesa e transparencës dhe kriteret profesionale në ndërhyrjet e deritanishme ngrejnë shqetësime serioze për fatin e kujtesës historike në vendin tonë.
Për këtë arsye, kërkojmë:
- Ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha punimeve në Burgun e Spaçit deri në një vlerësim të plotë historik dhe teknik nga specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore dhe kujtesës historike.
- Krijimin e një grupi pune ndërinstitucional dhe përfaqësues, përfshirë ish-të përndjekurit politikë, historianë, arkitektë të konservimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të përcaktuar qartë kriteret e ndërhyrjes.
- Sigurimin e transparencës së plotë për projektet që lidhen me këtë vend të kujtesës historike dhe martizimit të shqiptarëve të pafajshëm e antikomunist.
Duke ju falënderuar për vëmendjen, mbetem në pritje të një përgjigjeje dhe një reflektimi të shpejtë mbi këtë çështje, në të kundërt do marrim insiativa të tjerë ligjore.
KRYETARI

