Denoncimi i gazetarit Armand Braho: Të rinj dhe fëmijë në gjendje të dehur pas një party elektoral në Maliq – kërkohet reagim urgjent nga institucionet
Gazetari dhe juristi Armand Braho ka ngritur një pyetje publike me tone alarmante, drejtuar institucioneve të drejtësisë, konkretisht SPAK, lidhur me një ngjarje të rëndë që dyshohet të ketë ndodhur në qytetin e Maliqit.
Sipas denoncimit të bërë nga Braho, ka indicie se një numër i konsiderueshëm të rinjsh dhe madje edhe fëmijësh janë paraqitur në gjendje intoksikimi etilik (të dehur) në Ambulancën e Maliqit, menjëherë pas pjesëmarrjes në një party elektoral të organizuar në këtë zonë.
“Kam një pyetje të drejtpërdrejtë për institucionet e drejtësisë dhe SPAK: A ka aktualisht një numër të lartë të të rinjve dhe fëmijëve me ‘intoksikim etilik’, pra në gjendje të dehur, në Ambulancën e Maliqit, të sapodalë nga një party elektoral? Ky rast kërkon vëmendje të shtuar dhe urgjente nga faktori opozitar, institucionet përkatëse dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut!”, – shprehet Braho në denoncimin e tij.
Nëse kjo ngjarje konfirmohet, ajo përbën një shkelje të rëndë të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, një abuzim me të miturit dhe një tjetër shembull i mënyrës së papërgjegjshme me të cilën fushatat elektorale po prekin shtresat më të pambrojtura të shoqërisë.
Braho u bën thirrje organeve të drejtësisë të nisin hetime të menjëhershme, ndërsa apelon edhe për reagim nga faktori opozitar, Avokati i Popullit dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve dhe të njeriut në Shqipëri.
Ngjarja ngre shqetësimin se nën petkun e argëtimit dhe aktiviteteve politike po fshihen praktika që cenojnë dinjitetin dhe shëndetin e brezit të ri.

