Më pak se një javë nga zgjedhjet vendore të 11 majit, Partia Demokratike në Pogradec po përballet me një situatë alarmante që rrezikon seriozisht përfaqësimin e saj real në terren: mungesën e komisionerëve në qendrat e votimit. Burime të besueshme konfirmojnë se strukturat lokale të PD nuk kanë arritur të plotësojnë numrin minimal të komisionerëve në shumë qendra votimi, përfshirë zona me rëndësi si Mokra, Bucimasi dhe vetë qyteti i Pogradecit.
Kjo nuk është thjesht një dobësi e momentit, por pasqyrim i paaftësisë organizative të strukturave të PD-së, të cilat nuk kanë mundur të ruajnë as njerëzit më bazikë për mbrojtjen e votës (komisionerët). Madje, një pjesë e konsiderueshme e komisionerëve të dikurshëm demokratë janë rreshtuar tanimë në krah të Partisë Socialiste, duke e lënë opozitën të zbuluar dhe të braktisur në qendrat e votimit.
Për një parti që pretendon të përfaqësojë alternativën, ky është një dështim i hapur në fushën më të rëndësishme të betejës elektorale: mbrojtja e votës. Në një klimë të dyshimtë politike, ku abuzimet dhe presioni administrativ janë kthyer në normë, të mos kesh komisionerë do të thotë të heqësh dorë nga gara përpara se ajo të nisë.

