Një tjetër rast dhune është regjistruar në Maliq, ku një 30-vjeçar dyshohet se ka goditur një të ri me sende të forta, pas një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja ka çuar në ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë, e cila ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.
Sipas të dhënave zyrtare, shtetasi R. Ç., 30 vjeç, banues në fshat Maliq, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një 26-vjeçari, duke e goditur me mjete të forta. I riu u transportua në spital, ku mori ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Komunikata zyrtare e Policisë së Shtetit:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin R. Ç., 30 vjeç, banues në Fshat Maliq, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta një 26-vjeçar, për motive të dobëta. 26-vjeçari mori mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për kapjen e autorit, të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.”
Policia po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e autorit, ndërsa hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

