Margarita Xhepa, jehona e një dive që s’do të shuhet kurrë
Margarita Xhepa, aktorja e madhe shqiptare, një ikonë që ka skalitur gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e publikut qysh nga vitet ’60, ka lënë një mbresë të veçantë edhe tek gazetari pogradecar Ilir Shyta. Me ndarjen nga jeta të kësaj figure monumentale të kinemasë dhe teatrit shqiptar, është momenti për ta risjellë pranë publikut që e deshi aq shumë, përmes një interviste të realizuar me të rreth vitit 2015, ekskluzivisht për gazetarin Ilir Shyta.
Gazetari Ilir Shyta, një emër i njohur i gazetarisë shqiptare me një karrierë të gjatë e të pasur, na rrëfen me emocion për takimin me aktoren e madhe të skenës shqiptare, Margarita Xhepa.
Kur e keni realizuar intervistën me aktoren Margarita Xhepa dhe çfarë perceptuat nga ajo intervistë?
Ilir Shyta: “Intervista është realizuar në Pogradec, në ditët kur në këtë qytet organizohej Festivali Ballkanik i Filmit. Diçka që më mbeti në mendje nga Margarita ishte thjeshtësia e saj, një grua e mençur dhe e thjeshtë. Në fakt kam pasur shumë personazhe nga brezi i tyre që kam intervistuar si Violeta Manushi, Tinka Kurti, Drita Pelingu e shumë të tjerë.”
Cili ishte këndi që ju patë ndryshe tek Margarita në këtë intervistë?
Ilir Shyta: “Në këtë intervistë pashë Margaritën e thjeshtë si grua, si nënë, si zonjë shtëpie për të rritur fëmijët e saj dhe si divën e madhe të skenës shqiptare. Një grua që në shtëpi duhet të bënte rolin e kryefamiljarit, pasi edhe bashkëshorti e ka lënë në moshë të re, por edhe aktoren e madhe të filmit dhe teatrit shqiptar.”
Çfarë i ka lënë Margarita Xhepa skenës?
Ilir Shyta: “Role të mrekullueshme, qoftë në teatër apo në kinema. Është e papërsëritshme! Ne po dëgjonim paraprakisht intervistën për të cilën unë po flas dhe tani jam plot emocione, shumë emocione.”
Një moment tjetër magjik gjatë intervistës, që mbetet i paharruar për gazetarin dhe për publikun, është kur aktorja nis të këndojë këngën nga filmi “Dimri i fundit”, ku ajo ka qenë protagoniste. Mbase kjo është intervista e vetme ku Margarita Xhepa ka kënduar disa vargje për publikun, duke lënë kështu një vlerë të veçantë dhe një moment të paharrueshëm për të dhe për ata që e kanë ndjekur.
Me thjeshtësinë e saj hyjnore, Margarita Xhepa bëri që një popull i tërë ta dojë dhe ta respektojë si një nga figurat më të ndritura të artit shqiptar. Edhe pse sot ajo nuk është më mes nesh, i ka dhënë popullit shqiptar një copë të shpirtit të saj përmes teatrit dhe filmit. Një ikonë e papërsëritshme. Ndërsa për gazetarin Ilir Shyta intervista me të, mbetet intervista me e veçantë dhënë nga aktorja ndonjëherë.
intervistoi: Armand Braho
Redaktoi: Elsa Xhindole
https://www.facebook.com/share/v/1YvdG49guo/?mibextid=wwXIfr

