Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, uroi besimtarët bektashinj me lutje për paqe nga teqeja e Turanit në Korçë.
Besimtarët bektashinj festojnë sot ditën e katërt të “Sulltan Novruzit”, një nga festat më të rëndësishme për ta, që përkon me ditëlindjen e Imam Aliut.
“Njeriu është qenia më e përkryer e kësaj bote dhe duhet ta respektojmë atë si të tillë, sepse edhe Zoti thotë në Kuran: ‘E bëra njeriun sipas shëmbëlltyrës sime.’ Pra, ne jemi Zoti në tokë; Ai na ka dhënë gjithçka—mendjen, sytë dhe çdo gjë që i nevojitet njeriut për të përballuar sfidat e kësaj bote kalimtare,” tha në urimin e tij Kreu i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, duke iu drejtuar besimtarëve me lutje për më shumë paqe dhe mirësi.
Kjo festë tradicionale e bektashinjve mblodhi sot në teqenë e njohur të Turanit dhjetëra besimtarë. Për ta, kjo ditë shënon fillimin e pranverës, një moment reflektimi, shprese dhe ringjalljeje shpirtërore.