Në mëngjesin e sotëm ka pasur prezencë të konsiderueshme të reshjeve të dëborës në të gjithë territorin e qarkut Korçë. Dëbora ka rënë me intensitet të ulët deri në mesatar, në varësi të zonave.
Konkretisht, në zonën e Dardhës dhe Voskopojës, trashësia e dëborës është regjistruar nga 5 deri në 7 cm.
Ndërkaq, në akset kombëtare Qafë Thanë-Korçë dhe Korçë-Kapshticë nuk është evidentuar asnjë problematikë aktualisht.
Sipas informacioneve, të gjithë kontraktorët kanë kryer kriposjen dhe pastrimin e këtyre akseve rrugore që në orët e para të mëngjesit. Megjithatë, duhet theksuar se lëvizja e automjeteve kryhet pa zinxhirë.
Aktualisht, temperaturat kanë pësuar rënie, veçanërisht në zonat malore, ku termometri ka shënuar nën 0 gradë Celsius. Ndërsa në qytetet si Pogradeci dhe Korça, vlerat e termometrit variojnë nga 0 deri në 1 gradë.
Sipas informacioneve të fundit, nuk janë evidentuar bllokime apo izolime të fshatrave në qark. Gjithashtu, ende nuk ka të dhëna nëse ka ndërprerje të energjisë elektrike në ndonjë zonë.
Drejtuesve të automjeteve u këshillohet të kenë kujdes të shtuar në rrugë, veçanërisht në zonat malore, dhe të përdorin pajisje dimërore për mjetet e tyre.
Gjatë natës në Qarkun e Korçës ka patur reshje shiu me intensitet deri mesatar dhe në orët e para të mëngjezit vazhduan reshjet e dëborës në të gjithë territorin në lartësi mbi 700 m.
Situata e krijuar u administrua mirë nga subjektet kontraktore të cilët siguruan mirëmbajtjen dimërore të akseve kryesore nacionale dhe atyre dytësore e lidhëse.
Akset kryesore nacionale: Qafa e Thanës-Pogradec-Plloçë-Maliq-Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Drenovë-Dardhë, Qafa e Qarrit-Ersekë-Leskovik, Qafa e Zvezdës-Dogana Goricë, etj ishin të monitoruara nga subjektet kontraktore dhe plotësisht të kalueshme.
Nga strukturat e EC të bashkive nuk raportohen situata emergjente, rrugët dytësore e lidhëse në bashki janë të kalueshme dhe pa probleme.
Furnizimi me energji elektrike ka qënë normal.
Jemi në monitorim dhe bashkëpunim me strukturat e EC, institucionet shtetërore dhe subjektet kontraktore në funksion të problematikave që mund të krijohen.

