Si e shihni listën e kundërshtarëve dhe cilin do të dëshironit të fitonte mandatin nga lista e hapur e PD?
“Edhe pyetjen e parë ma bëtë lidhur me kundërshtarët, por nuk kam pse të ndjek se si shkojnë zhvillimet mes tyre e as nuk kam pse të komentoj listën e hapur apo listën e mbyllur. Këtë nuk e them vetëm për mungesë modestie, por e them për hir të së vërtetës që ne nuk matemi me hijen e kundërshtarit, matemi me objektivin tonë dhe me qëllimet tona.
Padyshim që e vlerësoj shumë të dobët opozitën, por ky nuk është një lajm shumë fantastik dhe i gëzueshëm. Unë do të doja të kishim një opozitë të fortë, sepse të bën më të mirë, të bën të zbulosh më shumë potencial brenda vetes.
Siç e thashë, nuk merremi me opozitën. Nuk jam marrë as në të kaluarën, as gjatë fushatës, madje edhe kur temperaturat dhe tonet politike rriten, kur vjen ajo faza e akuzave, sulmeve, shpifjeve, etj., jam munduar që të shikojmë përpara.
Edhe këtu në Devoll nuk do të shikojmë majtas-djathtas, do të merremi me sfidat, problemet dhe angazhimet që këta djem të Devollit do të marrin përpara qytetarëve, si në qytet ashtu edhe në fshat, për t’i mbajtur dhe për t’i bërë realitet më pas, pasi të fitojmë mandatin e katërt.”
Do shkoni për 7 mandate, mendoni se do t’ia arrini objektivit?
“Ne sot jemi 6 deputetë. Në garë, të paktën unë, por edhe Partia Socialiste, nuk kemi hyrë ndonjëherë për barazim. 6 është barazim, 7 është fitore.
Padyshim, një fitore jo e lehtë, pasi kemi një diferencë prej 4 mandatesh me opozitën, por ne do ta synojmë dhe do të punojmë për këtë objektiv, duke marrë parasysh edhe faktin që këtë herë, për herë të parë, kemi dhe votën e diasporës. Jam i bindur që, kur të hapen kutitë, ne do të kemi një avantazh të konsiderueshëm.”

