Pse e nisi prezantimin nga Devolli, si bastion i djathtë dhe ku Bledjon Nallbati doli i pari me vota në qark në primare?
“Së pari, unë sot në Devoll do të bëj prezantimin e parë të dy prej kandidatëve për deputetë të listës sonë me 13 kandidatë: 3 në pjesën e mbyllur dhe 10 në pjesën e hapur. Dy djem të shkëlqyer të Devollit janë një në listën e mbyllur dhe një në listën e hapur.
Kur më pyesni pse kemi zgjedhur që Devollit t’i japim dy kandidatë, ka shumë simbolikë brenda. Devolli është një zonë me shumë vlera për qarkun tonë, mbase krahina më punëtore në Shqipëri. Ka njerëz të shkëlqyer, ka histori dhe traditë, dhe meriton që t’i ngrihet koka, në kuptimin që të vlerësohet përmes dy figurave – dy djem të rinj që e kanë treguar veten e tyre: njëri në punën politike prej disa fushatash dhe tjetri në punën profesionale dhe në kontaktet me njerëzit. Janë njerëz të mirë të Devollit, që gëzojnë respekt dhe reputacion për të gjithë dhe padyshim do të japin rezultat në këto zgjedhje.
E filloj nga Devolli sepse Devolli është një histori suksesi. Partia Socialiste, nga fushatë në fushatë dhe nga zgjedhje në zgjedhje, ka shënuar rritje dhe ne këtu kemi fituar për herë të dytë Bashkinë e Devollit. Natyrisht që do të jemi fitimtarë edhe në maj, jo vetëm në të mirë të gjithë votave që do të mbledhim në qarkun e Korçës për të arritur objektivin tonë për 7 deputetë – sot jemi 6 dhe synojmë të rritemi – por edhe për hir të qytetarëve të Devollit dhe të fshatit, të cilët meritojnë të përfaqësohen nga figura dinjitoze.”

