Dokumentari premierë “Vakëfet e Korçës” u shfaq në Universitetin “Fan S. Noli” në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, ku të ftuar ishin pedagogë e studentë, studiues e përfaqësues të pushtetit vendor, institucioneve e të ftuar të tjerë.
Shfaqja e këtij dokumentari premierë erdhi si një bashkëpunim midis departamentit të Histori-Gjeografisë, UNIKO dhe autorëve të tij, studiuesit Petrit Zeneli dhe gazetares Erjona Pambuku, nën fokusin e kamerës dhe videos nga Pirro Gjata.
Ky dokumentar, përmes fakteve, dokumenteve dhe rrëfimeve të shumë studiuesve, sjell për publikun fizionominë e një krahine, e cila, megjithëse pak e njohur, është unike jo vetëm për juglindjen e Shqipërisë, por për të gjithë rajonin.
Sipas autorëve, për realizimin e këtij dokumentari janë dashur gati tre vjet pune kërkimore dhe studimore, si dhe një punë e madhe në terren.

