5 C
Pogradec
5.2 C
Korçë
4.4 C
Bilisht
5.3 C
Ersekë
4.4 C
Maliq
5.3 C
Liqenas
Thursday, April 30, 2026

Arjan Merolli: Kullat rrezikojnë statusin e liqenit! Nëse liqeni del nga UNESCO, Pogradeci do të bëhet i pabanuar…

- Advertisement -

Në tryezën e diskutimit me fokus kundër kullave që pritet të ndërtohen në Pogradec, i pranishëm ishte dhe inxhinieri Arjan Merolli, një prej personave që është bërë pjesë e punimeve për përgatitjen e dosjes së liqenit të Ohrit për në UNESCO. Ai tha se statusi i liqenit në UNESCO, rrezikohet nga ndërtimet e reja dhe kullat dhe nëse liqeni del nga lista e UNESCO-s, qyteti i Pogradecit do të jetë i pa banueshëm.

Fjala e plotë:

Faleminderit. Unë jam Arjan Merolli nga Pogradeci, me profesion inxhinier! Që nga viti 96 kam qenë drejtues i projektit të Bankës Botërore për mbrojtjen e Ohrit dhe Prespës dhe kam një trashëgimi nga gjithë historia e zhvillimeve për mbrojtjen e këtij rajoni. Në radhë të parë, dua t’ju falënderoj për këtë nismë. Kam dëshiruar gjithmonë të informoj pogradecarët për këtë çështje. Për fat të keq, siç e dini, në fund të muajit nëntor, misioni i fundit i UNESCO-s publikoi raportin e tij. Ka kaluar më shumë se një muaj dhe askush nga qeveria apo pushteti lokal nuk ka marrë mundimin të reagojë apo të informojë se si është realisht situata.

Kjo është ajo që më shqetëson, sepse, mbi bazën e këtij raporti, ne mund të arrinim në një konkluzion se çfarë duhet bërë. Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk duket se do të ndodhë. Edhe pas disa letrave që kemi shkëmbyer, nuk është marrë asnjë përgjigje nga qeveria, qoftë për pjesën shqiptare, qoftë për atë maqedonase.

Dua të theksoj dy problemet kryesore që ngriti UNESCO. E para është mungesa totale e kontrollit në territor, dhe e dyta është mungesa e bashkëpunimit ndërkufitar. Për sa i përket mungesës së kontrollit në territor, kjo ka të bëjë me faktin që, pavarësisht se në vitin 2014 dhe më vonë në vitin 2018 kemi punuar për hartimin e planit të përgjithshëm vendor dhe tentuam të përfshijmë si shtojcë një dokument për trashëgiminë botërore për të limituar dhe ndaluar çdo ndërhyrje në territor, përsëri po shohim përpjekje për të ndryshuar zonimin e këtij plani.

Kjo është shqetësuese, sepse pasojat që po shohim sot, përfshirë ndryshimet në të gjithë territorin, rrezikojnë vlerat universale që ka rajoni dhe ndikojnë në trashëgiminë kulturore dhe natyrore. Ne kemi hyrë në listën e UNESCO-s si trashëgimi miks më 5 korrik 2019. Nuk kam parë ndonjë tjetër sajt të UNESCO-s që, brenda një periudhe kaq të shkurtër, të ketë pasur 4 misione monitorimi. Kjo tregon se rekomandimet që janë dhënë vit pas viti jo vetëm që nuk janë marrë në konsideratë, por janë shoqëruar edhe me kërcënime të reja që vijnë si rezultat i zhvillimeve të pakontrolluara.

Një nga këto është fenomeni që po diskutojmë sot, që ndodh pa asnjë përshtatje me planin e përgjithshëm vendor dhe pa asnjë kuadër ligjor. Përpjekjet që kemi bërë për të mbrojtur interesin publik po shkojnë drejt një situate ku rrezikojmë heqjen e statusit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të liqenit. Nëse e humbasim këtë status, do të humbasim gjithçka që i jep vlerë jetës në këtë zonë dhe që u shërben banorëve.

Mendohet se këto zhvillime mund të sjellin të ardhura për disa njerëz, por ato krijojnë probleme të mëdha, përfshirë një situatë ku liqeni dhe qyteti mund të shkatërrohen. Kjo do të bëjë që qyteti i Pogradecit të mos jetë më i banueshëm. Ajo që më shqetëson dhe që dua të theksoj është se në fund duhet të reflektojmë për masat që mund të marrim për të parandaluar këtë shkatërrim galopant.

Rajonet si Driloni, Lini, pjesa e bregut të liqenit dhe zona litorale nuk duhet të bëhen pre e lakmive të oligarkëve të ndërtimit. Ata janë një nga problemet kryesore për Pogradecin dhe do të kenë pasoja të pakthyeshme për statusin e rajonit. Shpresoj që kjo të mos ndodhë dhe që të bëhemi një barierë për këto zhvillime, duke mbrojtur interesin publik.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit