Disa orë para ndërrimit të viteve, në Qarkun e Korçës është regjistruar një fluks i lartë lëvizjesh të automjeteve në të gjitha segmentet rrugore, si dhe në pikat kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës, që lidhin Shqipërinë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjatë ditëve të fundit, në doganën e Kapshticës kanë hyrë dhe dalë mbi 60 mijë shtetas. Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, fluksi ka qenë i lartë edhe në doganën e Qafë Thanës, ku janë regjistruar rreth 10 mijë kalime.
Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit po kthehen në atdhe për të kaluar pushimet, ndërsa nuk mungojnë as shtetasit, kryesisht nga Maqedonia e Veriut, që zgjedhin ta festojnë Vitin e Ri në Shqipëri. Fluksi i parë i lartë është regjistruar para Krishtlindjeve, ndërsa gjatë dy ditëve të fundit numri i kalimeve është rritur ndjeshëm. Për këtë arsye, në qytetet e qarkut ka pasur një trafik të rënduar.
Autoritetet doganore, për shkak të fluksit të lartë, kanë punuar me sportele maksimale për të shmangur vonesat.
Policia e Qarkut të Korçës ka shtuar personelin në gatishmëri dhe ka vendosur efektivë në kryqëzimet ku fluksi i automjeteve është më i lartë. Po ashtu, në akset nacionale ka një prani të shtuar të policisë si masë për të parandaluar aksidentet rrugore. Kontrollet janë intensifikuar për matjen e alkoolit te drejtuesit e automjeteve, si dhe për monitorimin e shpejtësisë me radarë. Burime nga policia konfirmojnë se edhe gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve do të ketë përqendrim të efektivëve në sheshet e qyteteve të qarkut.
Gjatë këtyre ditëve, Qarku i Korçës ka pasur një numër të shtuar turistësh. Shumë vizitorë nga Elbasani, Tirana, Durrësi dhe qytete të tjera kanë zgjedhur Korçën dhe Pogradecin si destinacion për këtë fundvit. Ambientet akomoduese janë të rezervuara 100% në qytetin e Korçës dhe në fshatrat turistike përreth.
Operatorët turistikë kanë bërë të ditur se për mbrëmjen e sotme janë përgatitur programe festive me muzikë live dhe shfaqje argëtuese për të krijuar një atmosferë të veçantë. Gjatë muajit dhjetor, në qytetin e Korçës është ofruar një program i gjerë festiv me koncerte, shfaqje dhe evente artistike e kulturore për vizitorët.
Për mbrëmjen e ndërrimit të viteve, atmosfera premton shumë, dhe ndryshe nga qytetet e tjera, Korça mbetet edhe këtë vit pa dyshim destinacioni më i preferuar për festat e fundvitit.