URIMI IM PËR JU!
Të dashur bashkëqytetarë,
viti që po lemë pas ishte viti i drejtësisë së munguar e të regjizuar kundrejt kundërshtarëve politikë, ishte viti ku braktisja e vendit vazhdoi me ritme të frikshme, ishte vit me rritje çmimesh dhe varfërim të mëtejshëm të të varfërve, ishte vit ku pushteti nuk rreshti së punuari për xhepat e vet dhe shpesh herë tregoi arrogancën e pandjeshmërinë.
Errësira i bën yjet të duken dhe ndryshimet e muajve të fundit kanë rikthyer shpresën te shumë prej nesh që nuk besojnë më te e shkuara, por tek e ardhmja. Frika dhe indiferentizmi po vriten ditë pas dite, e unë, do të doja që sot të uroja fillimisht ata që luftuan në vitin 2024 me zërin e tyre, me penën e tyre, me protesta dhe aksion politik kundër regjimit e çdo lloj padrejtësie. Do të uroja që në 2025 ata të jenë më shumë!
Ne po hyjmë në një vit elektoral dhe demokracia nuk mundet të jetë pa zgjedhje të lira e të ndershme. Në 2025, do të votojnë edhe emigrantët, ku kontributi i tyre për rotacionin politik do të jetë esencial. Unë do të doja të uroja çdo familje emigrantësh e tu thoja që Shqipëria sot ka nevojë për ta, jo për nostalgjinë e tyre.
Në mbyllje, do të doja që ky vit tu gjejë e tu lerë shëndoshë e mirë ju dhe familjet tuaja, do të doja që ju të keni jetë më të mira, më shumë mundësi dhe drejtësi, më shumë kurajo e besim, më shumë dashuri e harmoni!
Me respekt,
Gentian Çala
Sekretar Politik i Partisë së Lirisë Qarku Korçë