Personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre, ditën e sotme kanë protestuar përpara Bashkisë së Korçës, pasi nuk kanë marrë në mbyllje të vitit bonusin e përcaktuar. Sipas tyre, tryezat e familjeve që kanë persona me aftësi të kufizuara nuk do të shtrohen këtë fundvit, pasi gjendja e tyre ekonomike është e rënduar.
Shkak për këtë vonesë të shpërblimeve, sipas protestuesve, ka qenë mosçelja e thesarit. Por, nga ana tjetër, ajo që mbetet e dukshme është se dhjetëra familje që kanë të sëmurë në shtëpi nuk do ta kalojnë ndërrimin e vitit si gjithë të tjerët, pasi nuk kanë të ardhura për të festuar.
Nga autoritetet lokale, të cilat kanë mbajtur takim me përfaqësues të kësaj kategorie, është bërë e ditur se pagesa e bonusit do të bëhet në ditët e para të janarit, çka tregon se sot përfituesit e kanë të pamundur të tërheqin këtë bonus.
Në këto ditë të fundit të vitit, sportelet e postës kanë pasur një fluks qytetarësh dhe pensionistësh, të cilët i janë drejtuar për të tërhequr shpërblimet e fundvitit. Sipas të dhënave të censusit të fundit, në Qarkun e Korçës rezultojnë rreth 12,252 persona me aftësi të kufizuara.