22 C
Pogradec
21.4 C
Korçë
21.8 C
Bilisht
20.7 C
Ersekë
20.3 C
Maliq
22.9 C
Liqenas
Monday, July 7, 2025

Pogradec/ Personazhet e vitit 2024! Pogradecipress.al shpall “Pogradecarët e vitit”…

- Advertisement -

Duke parë veprimtarinë e tyre, redaksia e Pogradecipress.al sot shpall “Pogradecarët e Vitit”, janë ata figura të njohura të cilët kanë kontribuar në komunitetin e Pogradecit dhe kanë promovuar qytetin nëpërmjet veprimtarive të tyre. Pogradeci edhe pse është një qytet i vogël, mbart në vete dhjetra personazhe me impakt publik, të cilët brenda këtij viti kanë ngritur lartë emrin e qytetit.

Pogradecipress.al është kujdesur që personazhet të jenë figura larg politikës, me popullaritet të lartë që gjatë vitit 2024 kanë shenjuar me aktet e tyre. Redaksia jonë ka kënaqësi të shpallë si “Pogradecarët e Vitit”, personazhet sipas rendit alfabetik:

  1. Ajet Çekiçi
  2. Bledjan Liçkollari
  3. Bujar Balliu
  4. Eqerem Zyferi
  5. Firdeus Dikellari
  6. Gani Bego
  7. Gentian Zeka
  8. Hermes Shkullaku
  9. Herolinda dhe Ardi Shkullaku
  10. Ilir Medini
  11. Mirel Mazelli
  12. Neli Naço
  13. Paola Gjata
  14. Robert Budina
  15. Vëllezrit Likollari

    Ajet Çekiçi është pedagog në Akademinë e Arteve dhe kompozitor i njohur me origjinë nga Buçimasi i Pogradeci. Prej vitesh Çekiçi është vendosur në kryeqytet, ku kontribuon aktivisht për muzikën Shqiptare. Ai nëpërmjet veprimtarisë së tij, edhe pse larg vendit të lindjes, përcjell vlerat qytetare dhe artistike si dhe promovon qytetin e Pogradecit.

    Bledjan Liçkollari është punonjës i Policisë së Shtetit në Komisariatin e Pogradecit, prej vitesh angazhohet në rastet e parandalimit të dhunës në familje dhe promovimit të veprimtarisë së organeve ligjzbatuese, si dhe është aktiv në trajnimin e të rinjve. Liçkollari gëzon reputacion tek qytetarët dhe njihet si një ndër efektivët e policisë më me impakt në opinionin publik.

    Bujar Balliu është një ndër mësuesit me karrierën më të gjatë në rrethin e Pogradecit. Ai është evidentuar nga redaksia edhe për botimet e shumta letrare të nxjerra në treg, gjithashtu një ndër kontributorët në arsimin e rrethit. Për karrierën e gjatë dhe kontributet e shumta në promovimin e vlerave të qytetit, Balliu është zgjedhur një ndër personazhet e vitit 2024.

    Eqerem Zyferi mjeku kirurg është një prej themeluesve të repartit të kirurgjisë në spitalin e Pogradecit, aktualisht edhe pse në moshë pensioni vijon veprimtarinë e tij pranë spitalit të Pogradecit. Mjeku njihet si një person tepër human dhe me vlera të larta profesionale, dëshmuar edhe nga kontributi i tij në vazhdim. Zyferi njëkohësisht ka qenë personazhi më i sugjeruar nga abonentët e redaksisë Pogradecipress.al

    Firdeus Dikellari ose ndryshe gjeniu i Pogradecit. 19-vjeçari nga Pogradeci, është një talent premtues në fushën e teknologjisë dhe robotikës. Ai ka krijuar robotët “Rei” dhe “Dardan” të cilët mund të jenë interativ me veprimet humane. Firdeusi synon të vazhdojë inovacionet në teknologji, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe në Shqipëri. Edhe pse në një moshë të vogël, Pogradecari ia ka dalë të marri fokus në vend për krijimet e tij, duke promovuar kështu edhe vet qytetin.

    Gani Bego është specialist i Zonave të Mbrojtura, por njëherazu dhe pjesë e “Discover Pogradec”. Bego është një ndër promotorët kryesor të bukurive natyrore të gjithë Pogradecit dhe fshatrave, duke drejtuar grupe turistësh vendas apo të huaj dhe në destinacionet më të largta, apo duke promovuar ato destinacione në media dhe emisione televizive. Gani Bego konsiderohet si një ndër njohësit më të mirë të shtigjeve dhe bukurive natyrore në rrethin e Pogradecit. Shpesh herë udhëtimet e drejtuara nga ai, janë bërë lajm në mediat kryesore të vendit për aventurën dhe pamjet spektakolare.

    Gentian Zeka, piktori i njohur Pogradecar i cili gjatë vitit 2024 ka çelur një sërë ekspozitash me veprat e tij. I njohur si një ndër piktorët kryesor të qytetit, ai ka kontribuar me artin e tij për qytetin e Pogradecit. Ekspozitat ndër vite të Zekës janë çelur edhe në qytete të ndryshme të vendit duke e bërë atë një kontributor të rëndësishëm të qytetit nëpërmjet artit.

    Herolinda dhe Ardi Shkullaku janë dy personazhe tepër të dashur të Pogradecit. Bashkëshortët prej vitesh japin kontribute të vazhdueshme komunitare nëpërmjet mbështetjes së familjeve në nevojë dhe edukimit të fëmijëve dhe të rinjve. Herolinda aktualisht mban pozicionin e drejtores ekzekutive në Fondacionin “Nehemia Gateway Albania”, ndërsa Ardi zhvillon misionin e pastorit në Kishën Apostolike në Shqipëri. Çifti i bashkëshortëve kanë qenë ndër personat më të sugjeruar në redaksinë tonë, si personazhe të vitit për kontributet e tyre të çmuara në komunitet.

    Hermes Shkulaku është një nga lojtarët kryesor të skuadrës liqenore që prej moshës 17-vjeçare. Ai, prej vitesh, është kthyer në beniaminin dhe futbollistin më të dashur të tifozërisë, gjë që e tregojnë brohorimat e tifozëve duke thirrur në kor emrin e sulmuesit sa herë që ai futet apo del nga fusha. Modestia dhe thjeshtësia janë tipare të cilat i japin një tjetër dimension këtij lojtari. Ai i ka qëndruar besnik skuadrës edhe në momente të vështira, duke mos u tunduar nga ofertat. Një futbollist i tillë vjen një herë në jetë.

    Ilir Medini është një figurë e njohur në futbollin pogradecar. Ai ka qenë trajner i K.F. Pogradeci dhe ka arritur rezultate të mira në drejtimin e skuadrës. Medini veçohej për mbështetjen e të rinjve, duke i frymëzuar me pasionin dhe përkushtimin e tij. Si rezultat, ai i ka lënë K.F. Pogradecit një plejadë sportistësh që kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve pogradecarë. Edhe pse prej vitesh jeton në kryeqytet, ai mbetet një nga trajnerët më të dashur për komunitetin sportiv të qytetit.

    Mirel Mazelli imami i Xhamisë “Ebu Bekër” në Pogradec është një prej personazheve më me popullaritet dhe respekt në qytet. Ai njihet si një ndër personat që aktivisht kontriubon për të mbështetur familjet e varfëra dhe ato në nevojë duke garantuar paketa humanitare dhe jo vetem. Nga ana tjetër Mazelli, njihet si një ndër personat që transmeton vlera dhe edukim tek brezat e rinj, nëpërmjet programeve të ndryshme. Imami pogradecar pasqyron konsideratë të lartë nga aktivizmi i tij, që promovon vlerat e qytetit.

    Neli Naço është një prej pedagogëve dhe studiuesve të Gjuhës Shqipe. Për vite me rradhë Naço ka mbajtur pozicionin e lektorit në Universitetin Fan S. Noli, gjithashtu autor i botimeve dhe revistave të ndryshme, ndërkaq edhe panelist apo ligjërues në shumë konferenca shkencore. Së fundmi, Neli Naço është bërë pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku thellon studimet e tij në fushën e gjuhësisë. Profesor Naço përfaqëson denjësisht vlerat e qytetit të Pogradecit, si një ndër personat më me kontribute publike.

    Paola Gjata është volejbollistja më e suksesshme me origjinë nga qyteti i Pogradecit, aktualisht ajo është angazhuar për një ekip të kategorisë superiore në Bosnje Hercegovina, ku lartëson ngjyrat “KuqeZi”. Ajo më herët është angazhuar si lojtare kryesore në ekipin e “Skënderbeut” duke e nxjerrë këtë ekip kampion. Së fundmi dihet që Gjata do të kthehet për një sezon në Pogradec, me objektiva që të ngrejë ekipin e qytetit në majat e volejbollit Shqiptar.

    Robert Budina regjisori i njohur shqiptar, vjen në këtë listë për shkak të kontibutit të tij në promovimin e qytetit nëpërmjet filmit “Pikë Uji”, që për herë të parë e “dërgoi” Pogradecin në OSCAR. Padyshim Budina bëri promovimin më të madh për vitin 2024 të qytetit liqenor, nëpërmjet filmit të xhiruar në të. Regjisori përpos kësaj, ka premtuar që Pogradeci do të vazhdojë të jetë në fokusin e projekteve të tij, duke sjellë kështu investime për ta kthyer qytetin në një skenë xhirimesh. Edhe pse jo nga qyteti i Pogradecit, Robert Budina ka nxjerrë në pah elementet më të bukura të këtij qyteti dhe ia ka ofruar nëpërmjet artit publikut kombëtar dhe ndërkombëtar.

    Vëllezrit Likollari janë ndër personat më të suksesshëm përsa i përket biznesit të restoranteve në Pogradec. Për turizmin ata kanë ofruar kontribute nëpërmjet vlerave të kulinarisë dhe nga ana tjetër nëpërmjet promovimit të qytetit si një atraksion turistik. Eduarti dhe Oni Likollari, konsiderohen gjithashtu padyshim ata të cilët kanë krijuar “Sofrën Edon”, si një biznes elitar dhe që parqesin vlera nëpërmjet modestisë. Në dhjetra kronika televizive, vëllezrit ftojnë dhe hapin dyert për turistët nga të gjithë vendet. Ata meritojnë padyshim të jenë pjesë e kësaj liste.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit