Kolonia ndërkombëtare e artit figurativ “Ditët e Mios” mban për të 14-in vit radhazi në qytetin e Korçës. 25 artistë nga vende të ndryshme të botës, kryesisht nga Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Polonia, Ukraina, Rumania, Islanda, Korea e Jugut, Kina, Serbia dhe Bullgaria, takohen në Korçë.
Piktori grek Alexandros Abazoglu tregon se është hera e tij e parë që merr pjesë në këtë aktivitet dhe shprehet kurioz për faktin se si piktorë me kultura të ndryshme nga vendet e botës do të bashkohen për të krijuar art. Sipas tij, peisazhi i qytetit të Korçës është mahnitës.
Veton Gusia tregon se qyteti i Korçës është një qytet arti dhe kulture, ndërsa shprehet i lumtur që ndodhet në këtë festival dhe se qyteti i jep një frymëzim të madh artistëve.
Piktori nga Korça tregon se takimi me artistë nga vende të ndryshme të botës është një eksperiencë shumë e mirë për të njohur dhe për të bashkëpunuar me të tjerë
Pjesë e këtij festivali madhështor ishte edhe vajza e piktorit të madh korçar Vangjush Mio, e cila tregon se është shumë e gëzuar që emri i të atit të saj kujtohet dhe vlerësohet nga të gjithë.
Kjo koloni, e cila është kthyer tashmë në një traditë për artistët vendas dhe të huaj, do të zgjasë 4 ditë, ku më 27 tetor artistët do të shfaqin punimet e tyre për publikun e gjerë korçar dhe jo vetëm.