45 filma nga 22 shtete pritet të shfaqen në Korça Short Film Festival, i cili ngriti siparin në qytetin juglindor për edicionin e tij të 11-të.
Filmat garues konkurrojnë në katër kategori, ku çmime do të ndahen për filmat ndërkombëtarë, filmat e studentëve, filmat kombëtarë, dhe për herë të parë në këtë festival do të prezantohen edhe filmat dokumentarë.
Nata e parë paraqiti filma palestinezë, si një mënyrë për të reflektuar mbi luftërat që po zhvillohen aktualisht pranë nesh. Ndërkohë, filmat me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, që përcjellin mesazhe aktuale dhe tematika sociale, do të shfaqen në pesë netët e festivalit. Njëra nga netët do t’i dedikohet fëmijëve.
Anxhela Çikopana, e cila është anëtare jurie në këtë festival, hedh më shumë dritë mbi risitë e sjella në festival.
Të shtunën pritet të ndahen çmimet për filmat pjesëmarrës, të vlerësuar nga një juri ndërkombëtare. Ndër 45 filmat, pesë prej tyre përfaqësojnë Shqipërinë.