Mbrëmjen e djeshme është zhvilluar eventi më i rëndësishëm sportiv në juglindje, Maratona Enkelana. Në këtë aktivitet ndërkombëtar morën pjesë më shumë se 500 garues nga 38 vende të botës, të grupmoshave të ndryshme, në kategoritë 21 km dhe 11.5 km.
“Në të dyja disiplinat janë rreth 500 vrapues që vijnë nga 38 shtete përfshirë edhe Shqipërinë e Madhe, nga gjithë trojet shqipfolëse. Interesante ka qenë pjesëmarrja nga Afrika e Jugut, Amerika, Kanadaja, Gjermania, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut e cila ka ardhur me numrin më të madh të atletëve, rreth 60 atletë. Ka nga Greqia e cila del e dyta në renditjen totale me mbi 50 atletë, por ka nga shumë vende pjesëmarrje. Grupmosha më e madhe e pjesëmarrësve është 35-45 vjeç. Të dyja garat janë të çertifikuara dhe Maratona Enkelana është në kalendarin botëror të maratonave pra Pogradeci ka ditën e vet në kalendarin e maratonave. Ka dy disiplina 11,5 km dhe disiplina e 21 km që starton nga Lini deri në qendër të Pogradecit dhe gara e 11,5 km që starton nga qendra e Pogradecit shkon deri afër Tushemishtin kalon buzë liqenit dhe përfundon këtu në qendër. Marrin gjithashtu pjesë moshat e treta, personat me aftësi të kufizuara që duan të shpalosin një kauzë por edhe ushtria dhe policia e shtetit si edhe studentët që kanë një kartë studenti janë pa pagesë në garat tona.“ mbyll fjalën Peço
I pari që shkeli vijën e finishit tek gara 11.5 km ishte Bledar Mesi nga ekipi i Forcave të Armatosura, i cili garon për herë të tretë në këtë maratonë, por këtë herë duke dalë i pari dhe duke lënë pas Korçarin Ilir Kllëzi.
“Ishte një garë e bukur, garë e vështirë, është edicioni 3 që marr pjesë. Jemi një ekip nga FA që gjithmonë marrim pjesë dhe kudo ku ka aktivitete sportive gjendemi. Dua të falenderoj Ministrinë e Mbrojtjes, Akademinë e FA, por edhe organizatorët për këtë organizim që çdo vit është edhe më i bukur dhe gjithë sportistët që marrin pjesë. Është e disa ta herë që marr pjesë dhe faktikisht në maratonën e Pogradecit kam dalë gjithmonë i dyti. Kur je i stërvitur nuk është shumë e vështirë edhe e dominon garën që në fillim edhe të paktën 5 km e fundit i shijova në maksimum ngaqë isha vetëm unë. “ shtoi fituesi.
Ukrainasi Bogdan Semenovych arriti të shkëputet shumë gjatë nga atletët e garës së 21 km, duke shkelur kështu i pari në vijën e finishit. Kjo fitore iu dedikua Ukrainës, nga atleti i cili mori për herë të parë pjesë në këtë event sportiv.
“Jam nga Ukraina dhe është hera ime e parë këtu. Ishte eksperiencë shumë e bukur pasi nuk ishte edhe shumë nxehtë, rruga ishte jo shumë e vështirë për mua. Fitoren sot ja dedikoj vendit tim, Ukrainës.” Tha Ukraninasi
Maratona Enkelana shërbeu jo vetëm për garën mes atletëve, por edhe kauza të ndryshme. Për pacientët e hemodializës, ka garuar Pogradecari Bledi Orhani që dikur ishte edhe ai pacient i kësaj terapie dhe disa muaj më parë iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për transplantimin e veshkës.
“Ndihem shumë mirë, pak i lodhur por për të sfiduar veten erdha, vrapi ishte i bukur ndaj u kënaqa. Ishte hera e parë për mua pasi herët e tjera nuk kam mundur të marr pjesë për shkak të problemeve që kam pasur me veshkat ndërkohë që në dhjetor 2023 unë kam kryer transplantin e veshkës dhe pas konsultave me mjekët këtë vit mora lejen për të marrë pjesë. Qëllimi ishte të përfaqësoj personat që janë duke kryer terapinë e hemodializës të cilët e kanë të pamundur fizikisht të vrapojnë kaq shumë edhe ja kam arritur më së miri.” Tha Bledi Orhani
Maratona Enkelana, e certifikuar nga IAAF për 5 vite për t’u zhvilluar në Pogradec, ka pasur pjesëmarrës nga të gjitha kontinentet. Më të shumtë garuesit ishin nga Kosova, Maqedonia dhe Greqia. Sipas organizatorëve, ky event promovon të gjithë Qarkun e Korçës dhe këtë vit ja doli të rezultojë i suksesshëm për organizimin dhe pjesëmarrjen diverse.