Burimi: Revista Monitor
Thyerja e rekordit të vizitorëve të huaj për tre vite rresht duket se krijoi vetëbesimin se Shqipëria kishte një turizëm të palëkundur. Rritja e kërkesës në akomodim, por edhe restorante, bëri që një valë e parë rritjeje çmimi të përfshinte kryesisht Jugun e vendit në maj me një nivel deri në 20%. Kjo u pasua me një të dytë, që në disa raste të izoluara shkonte deri në dyfishim të çmimeve. Ishin pikërisht këto raste, që pasi bënë xhiron e rrjetit, krijuan perceptimin se Shqipëria nuk ishte më një destinacion i lirë, duke frenuar të huajt. Operatorët turistikë pohojnë se sezoni veror 2024 parashikohet të jetë më i dobët se sezoni veror 2023, ndërsa viti në total më i mirë se ai i kaluar. Precedenti i këtij viti, ku pranohet se një dëm i konsiderueshëm është shkaktuar tashmë në imazh, konfirmon se mbetemi ende një destinacion i brishtë që duhet të tregojë kujdes për hapat që hedh.
Nertila Maho
Vrulli i turizmit, i nisur që nga fillimi i këtij viti, me një rritje të ndjeshme të hyrjeve të numrit të të huajve në vend, duket se u frenua disi në qershor.
Në statistikat zyrtare nuk u pa një shqetësim i tillë, teksa u raportua se në 6 muaj në Shqipëri hynë 4.5 milionë shtetas të huaj, me një rritje 34% më shumë në raport me 6-mujorin e një viti më parë.
Krejt papritur, në rrjet nisën të qarkullonin plazhe bosh (diçka që ka ndodhur çdo vit në disa raste edhe pa bazë), pastaj nisën ankesat e çmimeve të larta nëpër faqe të posaçme e blogje të turizmit dhe në fund u hodh edhe teza se po na sabotonin fqinjët për të na marrë suksesin.
Shqetësimi u bë real kur vetë operatorët turistikë nisën të pranonin se deri në maj, gjithçka ishte mirë, por qershori dhe fillimi i korrikut nuk ishin ashtu siç priteshin. Kishte më pak rezervime dhe shkak për këtë ishin bërë çmimet.
Që të kishte një rritje të tyre, në kushtet e rritjes së kërkesës, kjo ishte diçka e pritshme, por virusi i përfitimit maksimal nga momenti duket se përfshiu gjithë Jugun e vendit, duke marrë me vete edhe atë grup që kishin treguar maturi.
Imazhi i brishtë turistik i Shqipërisë së lirë, me plazhe mahnitëse si në Maldive u lëkund fort, diçka që ngriti alarmin edhe te qeveria që më herët nuk po pranonte se vrulli i turizmit po tejkalohej nga vrulli i çmimeve, duke rrezikuar seriozisht sezonin.
Kryeministri Edi Rama do ta cilësonte këtë një strategji vetëvrasëse dhe kërkoi që bizneset të reflektonin.
“Qeveria dhe bashkitë nuk i vendosin çmimet, kjo është shumë e qartë, ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe nuk vendosim dot çmimet as të hoteleve, as të restoranteve dhe as nuk i kontrollojmë dot apo nuk i imponojmë dot.
Por ama, në Vlorë, Ermal, në Sarandë Olti(iu drejtohet kryebashkiakëve), ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve, është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve.
Është shumë e rëndësishme të flitet dhe t’u thuhet që kjo është, jo vetëm e padrejtë, se mbase në kushtet e kapitalizmit fjalën e padrejtë ata që duan të fitojnë nuk e perceptojnë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë, është strategji vetëvrasëse” do të shprehej Kryeministri.
Çfarë ndodhi me çmimet, rritje nga 20% deri në dyfishim
Viti 2023 u mbyll me një rekord historik vizitorësh për vendin dhe një numër të huajsh që hynë në vendin tonë prej 10.5 milionë.
Me një rritje të qëndrueshme vit pas viti, Shqipëria u bë trend edhe këtë vit, e lakuar për çmimet e lira, kulinarinë dhe autentiken duke u bërë e preferuara e blogerëve dhe udhëtarëve të aventurës, por edhe tureve të kulturës.
Rritja e kërkesës në njërën anë, por edhe investimet e strukturave para sezonit dhe shtrenjtimi i kostove dhanë ndikim, duke nxitur një rritje paraprake të çmimeve të bëra në maj, në nivelin 20%.
Flukset e shtuara krijuan bindjen, sidomos për Ksamilin, që ishte sërish epiqendra e promovimit, se turistët ishin të gatshëm të paguanin çdo lloj çmimi për ta vizituar.
Strukturat e mira rritën çmimet në nivele deri në 50% kurse ato mesatare gati i dyfishuan. Të njëjtin shembull ndoqi Saranda dhe Vlora, por këtu rritja kufizohej në përkatësisht 20% dhe 30% dhe jo në të gjithë hotelet.
Një situatë si kjo duket se nuk u kapërdi lehtë nga udhëtarët në “buxhet” (që nuk duan të shpenzojnë shumë) që vizitojnë vendin tonë.
“Kërkesa e madhe solli rritjen e çmimeve, diçka që në fazën e parë, pa nisur ende plotësisht sezoni ishte “mirë”, sepse tregu funksionon sipas kërkesë-ofertës.
Ajo që ndodhi më pas është që ndryshoi tipologjia e turistit dhe nga mosha e mesme dhe e tretë që përcaktonin destinacionin, erdhën të rinjtë, që sollën një tjetër tendencë: përfitim të shpejtë në akomodim, por rënie të shpejtë të gjenerimit të të ardhurave te shërbimet si restorante, fast-food, shërbime të ndryshme turistike”, – shprehet Arben Çipa nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë.
Për kreun e Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, rritja nuk ka qenë vetëm në një pikë, por në gjithë bregdetin, ku më shumë e ku më pak, por më e theksuar në Jug.
“Rritja e çmimeve nga strukturat e mira ka rritur kërkesën tek ato më mesatare apo modeste dhe këto të fundit sërish kanë aplikuar një rritje që për konsumatorin mund të shihet si abuzive.
Sot jemi para faktit që çdo strukturë, madje edhe shtëpitë pritëse në fshatra si Dhërmiu, Qeparoi, Borshi apo edhe qyteti i Himarës kanë rritur çmimet. Saranda ka një marzh më të ulët të rritjes, me 20%” pohon ai.
Gazetari Enrik Mehmeti vlerëson se rritja ka qenë në raste sporadike por efekti negativ për të krijuar një perceptim se kudo është shtrenjtë i ka dëmtuar të gjithë.
“Në shumë prej plazheve që keni parë në rrjetet sociale bosh, ka pasur rritje të ekzagjeruar çmimesh dhe sinjalizimet e bëra nëpërmjet aplikacioneve nga turistë që mund t’i kenë vizituar apo pyetur, kanë bërë që të jetë ky efekt.
Duke qëndruar bosh, këto biznese kanë reflektuar tani duke ulur çmimet, por dëmi është bërë. Kjo situatë ka krijuar një disnivel të tillë, plazhe të mbipopulluara dhe plazhe bosh”, – shprehet ai.
Më pak vendas dhe shqiptarë të Kosovës në bregdet, shkak çmimet
Amullia që u krijua me rritjen e çmimeve duket se ka stepur një pjesë të mirë të vendasve dhe shqiptarëve të Kosovës për të pushuar në bregdetin shqiptar.
Agjencitë raportojnë për nivele rekord rezervimesh jashtë Shqipërisë kryesisht në Greqi dhe Turqi, teksa Kosova po shijon vitin e parë të lirisë në zonën Shengen, por edhe çmimet luajnë rolin e tyre në këtë.
“Hotelet që janë jashtë garancive kanë shfaqur probleme në qershor, por edhe në korrik, për të plotësuar kapacitetin e tyre. Kjo kategori strukturash është ndikuar kryesisht nga shqiptarët e Kosovës pasi ishin ata që vendoseshin në hotele të vogla pa mëngjes apo apartamente.
Kjo klientelë pothuajse mungon në këto struktura këtë vit” pohon z. Kasa. Shqiptarët e Kosovës duket se po shohin ofertat ekonomike të pushimeve, ku Greqia dhe Mali i Zi duket se qëndrojnë në krye.
“Jam vazhdimisht në komunikime me operatorët më kryesorë që zhvendosnin pjesën e Kosovës drejt bregdetit tonë dhe normalisht raportojnë që liberalizimi i vizave e ka ndikuar vendimmarrjen. Tashmë shqiptarët e Kosovë kanë më tepër zgjedhje dhe ikin edhe në destinacione të reja.
Ne e prisnim që kjo të vinte si tendencë me liberalizimin. Por duhet të nënvizoj që edhe ofertat që kanë bërë vendet fqinje si Greqia, në disa rajone si për shembull Haldikidi, apo Ulqini në Malin e Zi kanë qenë shumë të mira.
Për Sarandën dhe Vlorën shoh që ka pak interes edhe si efekt i çmimit disi më ndryshe për Shëngjinin”, pohon Arben Çipa nga “Sipa Tours”.

