Është zhvilluar për të dytin vit në Bashkinë e Devollit, Festivali Tipologjik Kombëtar i Lojërave Popullore dhe Riteve. Në fokus të tij mbetet pjesa tradicionale e trevave të vendeve të ndryshme në vend. Katër grupet e bashkive Dimal, Lezhë, Elbasan dhe Gjirokastër performuan gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme në këtë festival.
Për Kryebashkiakun e Bilishtit, Eduart Duro, ky festival do të kthehet në një traditë për krahinën e Devollit dhe do të bëhet një kryeqendër e traditës kombëtare.
Të rinjtë kanë qenë të shumtë këtë vit për t’u njohur me vlerat kulturore dhe ritët. Një mozaik i traditave të zonave të ndryshme është konsideruar ky festival nga historiani Niko Kotherja.
Idajet Shtëpënja, njëri prej artistëve të Dimalit, vjen për të dytën herë në këtë festival, për të paraqitur vlerat e zonës që përfaqëson. Bujaria, fisnikëria dhe vallja devolliçe janë disa prej vlerave kryesore të krahinës së Devollit për artistët vendas.
Festivali Tipologjik Kombëtar i Lojërave Popullore dhe Riteve zhvillohet një herë në dy vjet dhe për këtë event të rëndësishëm për traditën e trevave është zgjedhur Bashkia e Devollit, edhe pse është një bashki e vogël, por përfaqëson vlera të mëdha në traditën e vendit.

