Burimi: Revista Monitor
Trafiku i rënduar në sezonin veror, kryesisht në destinacionet turistike, është problemi më i madh që ka aktualisht vendi.
Kështu e vlerëson situatën në vend, Besnik Vathi, operator turistik.
Ai nuk pret që Shqipëria të përjetojë një bumerang me turistë që mund të mos kthehen më, por nënvizon se kalimi në një tjetër stad me efekt më të gjerë në ekonomi do të ishte i vështirtë, nëse nuk zgjidhen problemet e infrastrukturës, promovimit pa objektiva dhe informacionit të qendërzuar dhe të saktë për turistët.
Si po ju duket ecuria e turizmit deri më tani, qoftë nga shifrat, qoftë nga të dhënat indirekte, a kemi mundësi t’i menaxhojmë siç duhet këto flukse që raportohen?
Edhe më herët kam shprehur se totali që ne raportojmë si turistë nuk është ai. Nëse zbresim nga ai total tranzitet apo shqiptarët që jetojnë jashtë dhe kthehen, por nuk konsumojnë gjithë elementet që konsumon një turist, atëherë do mbërrijmë te shifra 2 milionë turistë të huaj.
Nuk besoj se një shifër 2 milionë është aq e frikshme në rritje për të krijuar probleme të natyrës: a do të kthehen turistët, a kanë probleme, a do të kemi bumerang.
Pse? Sepse nuk është njësoj si të analizosh një shifër 10 milionë turistë ku tmerrohesh përballë një popullsie 2 milionëshe dhe një shifër 2 milionë me 2 milionë.
Pra, nuk është ndonjë shifër që duhet të na trembë. E dyta, që lidhet përsëri me këto shifra.
Ne turistët vërtet i kemi gjithë vitin, por kurba ka pikun e saj dhe uljen, që do të thotë se ka hapësira dhe mund ta përballosh. Inventari më i madh i hoteleve është në zonën bregdetare dhe kjo zonë ka sezonalitetin e saj. Jashtë sezonit ka kapacitete për të mbajtur dhe për të kënaqur turistët.
Ka dhe një arsyetim të tretë, që ka të bëjë me operatorët që sjellin turizmin e organizuar. Ky numër nisi para shumë vitesh në nivele të ulëta, pra 10 mijë, dhe sot flitet se ka shkuar 300 mijë. Numri i polakëve, çekëve dhe sllovakëve është në rritje dhe kjo tregon se destinacioni pëlqehet.
Automatikisht kjo sjell zgjatje të sezonit dhe rritje të numrit të turistëve. Treguesi na bën të mendojmë sërish që rritja që po shohim nuk ka arsye për shqetësim.
Një element i katërt që na bën optimistë është rritja e fluturimeve të linjave low cost që kanë rritur jo vetëm destinacionet, por edhe frekuencën brenda të njëjtit destinacion.
Në biznes, planet që bëjnë këto kompani, nga tur-operatorët te kompanitë ajrore, asnjëri prej tyre deri më sot nuk ka shprehur rezerva për të ardhmen e rritjes që ka Shqipëria në turizëm.
Në këtë prizëm nuk e di se ku qëndron frika që shprehim herë pas here. Kemi dilema nëse ka klientë të pakënaqur? Po edhe ka, por për aq kohë sa ne nuk bëjmë pyetësorë apo nuk kemi statistikë, nuk kemi si ta dimë.
Gjithsesi, sot për sot Shqipëria ofron raportin cilësi-çmim tepër të favorshëm. Pra ne, për çmimet që ofrojmë, kemi një cilësi të lartë dhe ky hop i vendit ka të bëjë pikërisht me këtë raport.
Kur flasim për raportin cilësi/çmim, deri dje krahasimin e bënim me rajonin, pra Malin e Zi, sot flasim edhe për Kroacinë, për Italinë, a jemi më mirë se këto vende në raportin cilësi/çmim?
Kur themi raporti cilësi/çmim, është raporti i asaj që ofrojmë, jo i atyre që presim. Thënë thjesht, nëse marrim një mollë (një shërbim) në Shqipëri, Kroaci, Greqi, në Mal të Zi, molla më e lirë është jona. Pastaj vjen turisti nga Polonia apo vendet e tjera, kjo është pjesë e tregut që është i sotëm.
Për shembull: fillimisht në Durrës nuk kishte chartera dhe dyndjen e madhe të turistëve e kishte nga vendet e rajonit. Një vit para se të nisnin charterat, filluan ta frekuentonin bullgarët.
Ata sikur larguan nga hotelet, turistët e rajonit dhe kosovarët, sepse paguanin më shumë.
Kur nisën charterat e polakëve, bullgarët ikën. Nuk vijnë më. Disa vite më vonë, nordikët nisën t’i largojnë polakët nga hotelet. Madje në ato hotele me cilësi të mirë ku erdhën nordikët, polakët nuk i përballonin dot më çmimet.
Pra, tregjet e ndryshme të imponojnë dhe e gjejnë vetë veten ku hyjnë dhe si hyjnë. A ka vend për t’u shqetësuar? Ka, por jo thjesht për t’u shqetësuar se nuk do na kthehen më, kjo s’ka pse ekziston në gjykimin tim.
Shqetësim është pjesa kaotike e turizmit. Turistët te ne vijnë me informacione të grumbulluara në mënyrë empirike, të paorganizuara ose e marrin informacionin gojë më gojë ose në rrjete sociale.
Nuk ekziston informacioni i saktë në Shqipëri për çdo gjë që ata mund të kenë nevojë ose duhet ta marrin me vështirësi.
Transporti publik dhe ai privat dhe shërbimet private, ndonjëherë në shumë vende, gjykohen si abuzive, pra që ka një tendencë për të marrë maksimumin.
Nëse ne do të kemi informacion më të organizuar, nuk ka pse lëvizjet e të huajve të jenë në këtë kaos. Duhet të jenë të informuar se çfarë gjejnë, ku dhe si. Informimi bën që lëvizjet dhe shërbimet të jenë gjithmonë e më të kontraktuara. Duhet të bëhet një tjetër lloj promovimi për këtë.
Këtu mungon informacioni dhe kjo i detyron disa turistë të shpenzojnë më shumë.
Meqë jemi te promovimi, ka një lloj përqendrimi te Ksamili dhe sot duket sikur gjithë fluksi shkon atje, duke krijuar edhe një ngërç me trafikun, çmimet, shërbimet. Ksamili duket si qendra turistike e Shqipërisë, por a është ai modeli më i mirë?
Ksamili nuk është promovuar nga shteti, por nga mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale. Dobësinë e shoh tek ajo që ne si shtet duhet të promovojmë. Dikur kemi marrë pjesë në 30-40 panaire, tani në 2-3 të tillë. Pse? Apo s’kemi nevojë?
Jo, kemi nevojë, sepse duhet të promovosh vendin, të promovosh turizmin në gjithë gjerësinë e tij. Ke nevojë të tërheqësh dhe vende të reja, që për nga numri dhe cilësia janë gjeneruesit më të mëdhenj të turizmit në botë.
Ne nuk promovojmë për të tërhequr vende gjeneruese të turizmit në botë, nuk promovojmë në vendet jashtë Europës, ku nuk të sjellin thjesht turistë, por vizitorë që paguajnë dhe konsumojnë kulturën, pra që janë përtej detit dhe kjo e shpërndan efektin në ekonomi.
Nëse përmendim rastin e Ksamilit, ajo që ka ndodhur ka ardhur në mënyrë të pavetëdijshme. Është një promovim që zanafillën e ka tek italianët, që vizitonin Korfuzin dhe zbuluan edhe Ksamilin dhe u pëlqeu. Ishte më i lirë në akomodim dhe shërbim në raport me Greqinë.
Kjo u pasua me promovimin zinxhir nëpër media. Gjithsesi, Ksamili vuan nga një model kaotik i zhvillimit, ku asgjë nuk bëhet me plan dhe rregulla. Nuk ka strategji dhe bregdeti aty si kudo në vijën tonë nuk trajtohet si pasuri kombëtare.
Është një model, që e kemi aplikuar në shumë raste, ku bregdeti u ka kaluar investitorëve strategjikë që e shfrytëzojnë për ndërtime rezidenciale, që të ardhurat ua sjell menjëherë atyre dhe mban stok të ardhurat më të qëndrueshme, nëse do të ishin ndërtime për turizëm. Ky model nuk është për turizëm.
Ministria nuk ka bërë ende strategjinë e re. E vetmja gjë ku rrotullohemi tani janë shifrat dhe milionat e turistëve. A duhet të jetë kjo qendra apo boshti ku rrotullohemi për sukses?
Te shifra 14 milionë, ata që raportojnë kanë fatin e mirë që Kosova mori liberalizimin dhe shumë e më shumë shtetas do të fluturojnë përmes Shqipërisë. Në total, Shqipëria do ketë më pak turistë nga Kosova, por me shifra do jenë shumë më shumë.
Përfaqësues të aeroportit kanë deklaruar që 20 për qind e fluturimeve vijnë nga rajoni. Nëse e matim suksesin me hyrjet në kufi, lum ne dhe mjerë ne. Hyrjet nuk janë turistë. Kroacia ka 55 milionë hyrje, por vetëm 15 milionë i ka turistë.
Ka një ngërç me lidhjen e industrisë së turizmit me industri të tjera. Përfitimi i gjithë zinxhirit nga ky moment i turizmit nuk është i plotë. Si mund të bëhet kjo lidhje për të shtrirë efektin?
Këto vijnë me zhvillime afatgjata. Nëse nisemi nga ato që quajmë struktura pritëse për turistët në Shqipëri, më të organizuarat sot për sot i ka Durrësi. Ka kapacitete, i pret në mënyrë të organizuar, ka më shumë shërbim. Është pjesë e stadeve të zhvillimit.
Kjo nisi vitet e fundit kur erdhën të huajt. Vlora besoj do ta marrë shumë shpejt me aeroportin. Saranda dhe Ksamili, për sa kohë i marrin turistët nga Korfuzi, për momentin do të vuajnë.
Në momentin që do jenë me kontrata 3-mujore apo 6-mujore, atëherë do të bëhet dhe lidhja në mënyrë të natyrshme.
Kurba e çmimeve do të ulet. Por vendet hyjnë në treg kur të plotësohet trekëndëshi aeroport-hotel dhe shërbime. Duhet të plotësohen të gjithë këto elemente që të funksionojë.
Në Vlorë, pas përfundimit të aeroportit, do të dalë në pah mungesa e hoteleve, sepse nuk ka struktura me kapacitet të lartë akomodues.
Po vazhdimësinë e verës, si e shihni në përballimin me kapital njerëzor, trafiku?
Shqetësimet më të mëdha Shqipëria sot gjatë sezonit veror në plazh i ka me trafikun. Duhet parë si do të ndikojnë akset e reja Thumanë-Kashar dhe Llogoraja.
Ne duam turizmin e kroçerave, por një kroçerë që mund të vijë në Sarandë ka 3 mijë turistë dhe me trafikun që krijohet si do t’i çosh në Butrint.
Do të bllokosh jetën e qytetit dhe do t’i shoqërosh me polici? Flitet për zgjerim të rrugës së Ksamilit, por as ajo nuk zgjidh gjë. Duhet të organizohet transporti publik. Duhet të nxitet përdorimi i mjeteve me kapacitet të lartë dhe të vendosen orare kufizuese, sepse në të kundërt është e pamundur.
Si e shihni projektin e aeroportit të Gjirokastrës?
Për çështje distance me aeroportin e Korfuzit, ky projekt u zhvendos nga Saranda në Gjirokastër. Nuk mendoj që është keq, sepse ka vetëm 25 kilometra distancë dhe rruga është e mirë, por projekti nuk duhet lënë në letra.
Duhen bërë përmirësime në funksion të këtyre zhvillimeve, sepse do të ndodhë e njëjta gjë me aeroportin e Tiranës, ku erdhi fluksi dhe na gjeti pa rrugë, pa tren dhe ku trafiku është bërë shpesh problem.
Si mund të vendoset një balancë mes turizmit masiv dhe orientimit drejt turizmit më të qëndrueshëm dhe më të shpërndarë lokalisht?
Gjithnjë është te promovimi. Ne nuk duhet të biem pre e promovimit falas. Duhet të marrim në kontroll dhe të orientojmë turistët ku duam ne. Unë e shoh Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit që marrin “reels” të italianëve dhe i shpërndajnë.
Në një kohë kur ti si ministri dhe agjenci i ke kapacitetet dhe mundësitë të prodhosh produktin tënd të promovimit në rrjete sociale për atë lloj turizmi dhe destinacioni që ti do.
Duhet të promovosh historinë, kulturën, kulinarinë, të gjitha format që përqafohen nga turistët dhe të mos biesh pre e promovimit falas.
Kjo ishte një fazë e parë kur Shqipëria kishte nevojë të konfirmohej si destinacion, por sot që e ke këtë, je në një moment tjetër. Promovimi “alla propagandë” nuk është aq efektiv sa do ishte ai i targetuar dhe në bazë të strategjisë dhe shifrave.