20.8 C
Pogradec
19.1 C
Korçë
19.2 C
Bilisht
18.3 C
Ersekë
18.4 C
Maliq
20.6 C
Liqenas
Sunday, June 28, 2026

Reforma territoriale/ Braho: Në 2014-ën e sakatosën, sot po flasim çfarë ngjyre do t’i vëmë karrocës

- Advertisement -

Reforma territoriale/ Braho: Në 2014-ën e sakatosën, sot po flasim çfarë ngjyre do t’i vëmë karrocës

Gazetari Armand Braho ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet diskutimi për Reformën Administrativo-Territoriale, duke theksuar se qytetarët realë kanë mbetur jashtë dëgjesave, ndërsa debati po dominohet nga mekanizmat politikë.

Reforma Administrativo-Territoriale ka rikthyer debatet mbi funksionimin e bashkive, cilësinë e shërbimeve dhe përfaqësimin real të qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Në këtë kuadër, gazetari Armand Braho ka reaguar publikisht, duke ngritur shqetësimin se Pogradeci nuk ishte përfaqësuar me zëra qytetarë në dëgjesën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Braho shprehet se qyteti liqenor nuk pati përfaqësimin e duhur, ndryshe nga bashki të tjera të qarkut.

“Më vjen keq që Pogradeci nuk ishte përfaqësuar me zëra në dëgjesën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, siç ishin përfaqësuar Maliqi dhe Devolli”, shkruan ai.

Sipas tij, diskutimi për reformën nuk duhet të nisë nga kufijtë territorialë, por nga mënyra se si administrata u shërben qytetarëve. Braho thekson se vlerat e Pogradecit duhet të ruhen, ndërsa çdo debat për territorin duhet të vijë pas analizës mbi cilësinë e qeverisjes vendore.

“Vlerat e qytetit duhet të ruhen, ndërsa territori, i cili nuk duhet të ndryshojë në ulje, duhet të vijë si pikë e dytë pas administrimit”, shprehet Braho.

Ai ngre shqetësimin se administrata vendore është zgjeruar në numër, por kjo nuk është përkthyer në shërbime më të shpejta dhe më efikase për qytetarët. Përkundrazi, sipas tij, koha për marrjen e shërbimeve është zgjatur.

“Administrata në Pogradec është shumëfishuar, por koha për marrjen e shërbimeve, në vend që të shkurtohej, është zgjatur. Efikasiteti i punës administrative dhe, në vetvete, menaxhimi i saktë i funksioneve pranë qytetarëve, pa i detyruar këta të fundit të sorollaten, duhet të jenë prioritet në reformën që po konsultohet”, shkruan ai.

Në fjalën e mbajtur gjatë dëgjesës publike, Braho përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë, duke e konsideruar reformën e vitit 2014 si një proces të dështuar në raport me pritshmëritë e qytetarëve.

“Në vitin 2014, reformën territoriale administrative e sakatosët, ndërsa sot po flasim se çfarë ngjyre do t’i vëmë karrocës. Kjo është tipike e asaj që po ndodh”, u shpreh gazetari.

Në qendër të kritikës së tij ishte parimi i subsidiaritetit, sipas të cilit shërbimi duhet të shkojë sa më pranë qytetarit, veçanërisht në zonat periferike. Braho tha se pas reformës së vitit 2014 qytetarëve iu premtua barazi në trajtim, por në praktikë shumë zona vijojnë të jenë të pabarabarta në marrjen e shërbimeve.

“Parimi i subsidiaritetit nënkupton që të shkojë shërbimi tek vetë qytetarët, të cilët janë në zonat më periferike. U premtua në vitin 2014 që nuk do quheshin më fshatarë, por do quheshin qytetarë pas ndryshimit, por përsëri, për sa i përket shërbimeve të munguara, një qytetar i Pogradecit, i Mokrës, një qytetar i Devollit, një qytetar i Kolonjës, i Maliqit, të gjithë sot janë të pabarabartë në marrjen e shërbimeve”, tha Braho.

Ai shtoi se banorët e zonave të largëta shpesh detyrohen të zbresin në bashkitë qendër për të marrë një shërbim të thjeshtë administrativ, pasi njësitë administrative nuk e ofrojnë atë në mënyrë funksionale.

“Detyrohen, për të marrë një shërbim administrativ, të zbresin në bashkinë qendër, jo në njësinë administrative, në shumicën e rasteve, sepse nuk ofrohet ky shërbim”, u shpreh ai.

Duke iu referuar Pogradecit dhe marrëdhënies së qytetit me institucionet rajonale, Braho përdori edhe një batutë të njohur për të ilustruar frikën se reforma mund të largojë edhe më shumë vendimmarrjen nga qytetari.

“E ka një shprehje shumë të bukur kryetari i Pogradecit: peshku në Pogradec, ndërsa drejtoria në Korçë. Ndërsa tani shpresoj, do Zoti, mos bëhet Pogradeci në Pogradec dhe kryetari në Korçë”, tha Braho.

Një tjetër pikë e fortë e fjalës së tij ishte kritika për përbërjen e sallës ku zhvillohej dëgjesa. Sipas Brahos, në vend të qytetarëve të zakonshëm, pjesëmarrja dominohej nga përfaqësues dhe mbështetës të dy krahëve politikë.

“Unë e kuptoj që sot e gjithë salla është mbushur nga dy mekanizmat: mekanizmat e opozitës nga njëra anë dhe mekanizmat e pushtetit. Qytetarët janë jashtë”, tha ai.

Të njëjtin shqetësim Braho e përsëriti edhe në reagimin e tij publik, duke e cilësuar përbërjen e sallës si një sinjal për mënyrën se si mund të përfundojë procesi.

“Sa për sallën, ‘Partizanë’ dhe ‘Ballistë’ dhe aspak popull, tregohet qartë një indikator se si mund të përfundojë reforma, pa e paragjykuar në vetvete”, shkruan ai.

Në përfundim të fjalës së tij, Braho kërkoi që debati të mos përqendrohet vetëm te numri i bashkive apo ndarja territoriale, por te efiçenca reale e administratës dhe te shërbimet që qytetarët marrin çdo ditë.

“Do të doja, padyshim, që të shihej efiçenca e administratës, jo numri i bashkive. Nëse do të rritej efiçenca e administratës, ne do të shihnim që do të kishim më shumë produktivitet. Por po ndodh e kundërta: numrat janë rritur, administratat mund t’i shohim nga 2013-ta e në vazhdim, janë dyfishuar, trefishuar, ndërsa koha administrative për të marrë një shërbim, po ashtu është dyfishuar dhe trefishuar”, tha Braho.

Ai paralajmëroi se reforma nuk duhet të kthehet në një ndarje të qarkut sipas interesave elektorale dhe zonave të influencës politike.

“Të gjejmë një armik tjetër që mos e fragmentizojmë për ta ndarë si tortë qarkun, në zona influence dhe zona votash si majtas dhe djathtas. Nuk na intereson fare pjesa politike, na intereson pjesa qytetare dhe pjesa e marrjes së shërbimeve”, përfundoi Braho.

Debati për reformën territoriale pritet të vijojë edhe në seancat e tjera konsultuese, ndërsa shqetësimi kryesor mbetet i njëjtë: a do të ndërtohet reforma mbi interesin e qytetarëve apo mbi llogaritë politike të radhës.

Fjala e plotë:

Në vitin 2014, reformën territoriale administrative e sakatoset, ndërsa sot po flasim se çfarë ngjyre do t’i vëmë karrocës. Kjo është tipike e asaj që po ndodh. Parimi i subsidiaritetit nënkupton që të shkojë shërbimi tek vetë qytetarët, të cilët janë në zonat më periferike. U premtua në vitin 2014 që nuk do quheshin më fshatarë, por do quheshin qytetarë pas ndryshimit, por përsëri, për sa i përket shërbimeve të munguara, një qytetar i Pogradecit, i Mokrës, një qytetar i Devollit, një qytetar i Kolonjës, i Maliqit, të gjithë sot janë të pabarabartë në marrjen e shërbimeve. Detyrohen, për të marrë një shërbim administrativ, të zbresin në bashkinë qendër, jo në njësinë administrative, në shumicën e rasteve, sepse nuk ofrohet ky shërbim. Nga ana tjetër, detyrohen të shkojnë edhe në institucione të tjera të linjës. E ka një shprehje shumë të bukur kryetari i Pogradecit: peshku në Pogradec, ndërsa drejtoria në Korçë. Ndërsa tani shpresoj, do Zoti, mos bëhet Pogradeci në Pogradec dhe kryetari në Korçë, se edhe mund të ndodhë sipas kësaj, por duhet të gjykohet. Unë e kuptoj që sot e gjithë salla është mbushur nga dy mekanizmat: mekanizmat e opozitës nga njëra anë dhe mekanizmat e pushtetit. Qytetarët janë jashtë. Nëse doni të flisni për sa i përket reformave, është mirë, të paktën gjysmë të keqes, gjysmë të keqes, që reforma është politike, por të paktën dëgjoni mendimin real të qytetarëve, të paktën në seancat e radhës, se unë i njoh, i njoh shumë mirë unë, i njoh, se prandaj punoj këtu, punoj, i shoh. Mos u prekni kaq shumë, se s’është problem. Për të vazhduar më tej, do të doja, padyshim, që të shihej efiçenca e administratës, jo numri i bashkive. Nëse do të rritej efiçenca e administratës, ne do të shihnim që do të kishim më shumë produktivitet. Por po ndodh e kundërta: numrat janë rritur, administratat mund t’i shohim nga 2013-ta e në vazhdim, janë dyfishuar, trefishuar, ndërsa koha administrative për të marrë një shërbim, po ashtu është dyfishuar dhe trefishuar. Popullsia, nga ana tjetër, është ulur, ju e patë. Por, dua të theksoj edhe nga, u gjet armiku, të paktën ditën e djeshme, popullsia është larguar nga rrjetet sociale, nga mediat. Kështu që, të gjejmë një armik tjetër që mos e fragmentizojmë për ta ndarë si tortë qarkun, në zona influence dhe zona votash si majtas dhe djathtas. Nuk na intereson fare pjesa politike, na intereson pjesa qytetare dhe pjesa e marrjes së shërbimeve. Faleminderit!

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit