Në Galerinë e Arteve të Qytetit të Pogradecit është çelur Ekspozita Ndërkombëtare e Akuarelit “Lin in Aqua 2”, aktivitet që shënon edhe hapjen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit. Mbi 150 vepra të realizuara nga 64 artistë, të ardhur nga Shqipëria dhe më shumë se 25 vende të botës, janë ekspozuar për publikun, duke e kthyer qytetin liqenor në një pikëtakim të rëndësishëm të artit bashkëkohor.
Edhe organizatori Foti Kllogjeri theksoi se festivali nuk synon vetëm prezantimin e veprave artistike, por edhe krijimin e urave të bashkëpunimit mes piktorëve nga vende të ndryshme. Ai tha se gjatë këtyre ditëve artistët shkëmbejnë përvoja profesionale, teknika pune dhe ndërtojnë miqësi që vazhdojnë edhe pas përfundimit të aktivitetit.
Mes pjesëmarrësve është edhe piktorja ukrainase Victoria Grigorieva, e cila u shpreh e emocionuar për pjesëmarrjen në festival. Ajo tha se kjo është vizita e saj e parë në Pogradec dhe se është mahnitur nga bukuria e qytetit dhe e liqenit. Sipas saj, udhëtimi ishte i gjatë dhe i vështirë për shkak të luftës në Ukrainë, por përvoja në Pogradec e ka bërë që çdo sakrificë të vlejë.
Ekspozita “Lin in Aqua 2” do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 12 korrik 2026, duke u dhënë mundësi artdashësve të njihen nga afër me krijimtarinë e artistëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës.

