Gjatë ditëve të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, i cili po zhvillohet në qytetin e Pogradecit, janë shfaqur dhjetëra filma, mes tyre dy filma me metrazh të gjatë: njëri filmi “Horia” me të cilin përfaqësohet Rumania dhe tjetri “Okarina” i Kosovës.
“Horia” sjell historinë e një djali i cili për herë të parë rebelohet dhe nis një udhëtim për të plotësuar dëshirat e tij. Ky rol luhet nga i riu Vladimir Teca, për të cilin gjithashtu është hera e parë që debuton në një film.
“Emri im është Vladimir Teca dhe unë jam nga Rumania. Është hera ime e parë në Shqipëri dhe patjetër jo e fundit. Filmi me të cilin prezantohemi në këtë festival është “Horia” nga Ana Maria Comanescu, një film rruge i cili flet për Horian dhe udhëtimin e tij në një qytet tjetër. Mesazhi që dua të shpreh nga filmi është: beso në intuitën tënde dhe shko përpara nëse do diçka, si në rastin e Horias. Gjatë këtij udhëtimi, ti plotëson gjëra të reja në jetën tënde, bëhesh një njeri më i mirë dhe ke një vështrim të ri për jetën. Kjo ishte eksperienca ime e parë me kamerat dhe në fakt nuk ishte shumë e vështirë. E gjeta veten time tek Horia pasi ishte eksperienca e tij e parë të dilte jashtë fshatit të tij dhe eksperienca ime e parë duke bërë diçka të re. Në fakt nuk pres ndonjë çmim, thjesht dua që filmi të shihet dhe të sjell një copë të Rumanisë këtu në këtë vend që më duket i ngjashëm me Rumaninë dhe është vërtet i bukur dhe e pëlqej vërtet shumë.”
Ndërkaq, filmi “Okarina”, i pari i regjizorit Alban Zogjani, i xhiruar në Prishtinë dhe prezantuar në premierë aty, është një tjetër ndër filmat pjesëmarrës në këtë festival. Ai trajton problematikat sociale dhe familjare, gjithashtu dhe fenomenin e emigrimit. Drejtori i fotografisë, Alex Blum, shprehet i kënaqur nga festivali, por edhe nga Shqipëria, edhe pse nuk e njeh mjaftueshëm.
“Emri im është Alex dhe jam nga Gjermania. Roli im në film ishte drejtori i fotografisë. Për mua filmi “Okarina” është një film rreth familjes, trashëgimisë dhe se si disa situata që ne nuk mund t’i ndalojmë çojnë drejt prishjes së marrëdhënieve familjare. Hera e parë ku ky film është shfaqur është në Prishtinë pasi gjithashtu aty e kemi xhiruar. Jam i kënaqur që filmi është në Festivalin Ballkanik të Filmit. Në fakt unë nuk di shumë për Shqipërinë, por mendoj që shumë njerëz mund ta gjejnë veten e tyre në këtë film pasi edhe vetë filmi tregon periudha nga regjimi dhe emigrantët, kështu që mendoj që shumë njerëz do e gjejnë veten aty.”
Festivali Ballkanik i Filmit, i mbajtur për të 14-in vit radhazi, pritet të përfundojë mbrëmjen e së shtunës, ku do të ndahen edhe çmimet për filmat dhe aktorët. Në total garojnë 44 filma me metrazh të shkurtër dhe të gjatë nga vendet e Ballkanit.

