Komunikatë për media e Partisë së Lirisë të Bashkisë Pogradec.
Pogradeci në prag të sezonit turistik po pëson një numër të madh ndërtimesh nëpër trotuare dhe lulishte, madje edhe në rërën e plazhit, të cilat u kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm banorëve të qytetit, por edhe vizitorëve. Përfaqësuesit socialistë në këshillin bashkiak dhe drejtuesit në bashki e kanë lëshuar dorën me vendime dhe leje, duke dhënë ngado toka publike në përdorim të bizneseve private, sikur ti kishin të babait. Partia e Lirisë Dega Pogradec e dënon me forcë këtë qasje ndaj pronës publike, sidomos ndaj hapësirave të gjelbra, edhe kur kjo bëhet me justifikimin e sezonit turistik.Nuk ka asnjë analizë apo studim nga ana e pushtetit vendor se tregu i shërbimeve në Pogradec (kryesisht restorante e bar-kafe) ka pasur nevojë për më shumë hapësira shërbimesh gjatë sezonit turistik. E vetmja kërkesë është nevoja e biznesit për më shumë përfitime dhe raporti klientelist me pushtetin aktual. Kjo tregon sesi mund të shpërdorohet pozicioni dhe besimi publik për fitime personale. Mungesa e transparencës është një prej karakteristikave të drejtuesvë në bashki, ku fshehja e kokës si struci, nuk i mbulon dot aferat, ku thuajse të gjithë e dinë kush ka zaptuar dhe çfarë. Ne e dënojmë me forcë këtë sjellje dhe premtojmë se do të vazhdojnë të denoncojmë të tilla afera dhe se në rast të ndryshimit të pushtetit, qasja ndaj pronës publike do të rishikohet.