Disa muaj më parë në Çërravë u rehabilitua rruga kryesore e cila kalon në mes të fshatit, por ajo që sot duket është gjendja e tmerrshme e punimeve të zbatuara. Të dyja anët e rrugës ku është hedhur asfalt, janë lënë të lira dhe të pa sistemuara, gjithashtu dhe trashësia e shtresave është shumë e ulët dhe trotuaret janë ndërtuar vetëm për dukje (të ngushta). Ky standard i punimeve flet dhe për jetëgjatësinë e investimit, sidomos kur në të kalojnë shumë kamiona gjatë ditës.
Banorët e Çërravës thonë se shtrimi i rrugës është një investim tallës, i cili ka filluar që tani të dëmtohet në pjesë të ndryshme. Përveç se punimeve me cilësi të dobët të rrugës, mungon dhe sistemimi i kanalizimeve të ujrave të shiut.
Nuk dihet nëse do të ketë ndonjë penalitet për kompaninë e cila ka zbatuar punimet, por duket se Bashkia e Pogradecit si autoritet kontraktues ka heshtur përballë faktit konkret. Nuk dihet ende shkaku i kësaj heshtje, por në këtë situatë ngrihen dyshime të shumta për favorizim të kompanive në tendera të ndryshëm.