Burimi: Korça Boom
Të gjithë e mbajnë mend 3 majin e vitit të kaluar 2023, ditë kur në Korçë do të shpallej edhe fituesi i projektit për stadiumin e ri “Skënderbeu”.
Madje qysh pas asaj dite u fol dhe u tha që në fundin e vitit të kaluar do të fillonin e punimet. Dhe më shumë se kaq, zhurma ishte shumë e madhe dhe vetë kryeministri premtoi se brenda vitit 2025 do të mbylleshin edhe punimet.
Sot jemi në mars të vitit 2024 dhe afroi edhe maji, kur mbushet një vit nga premtimi dhe fituesi i projektit. Asnjë sinjal pozitiv deri në këto momente për startin e punimeve dhe askush nuk thotë gjysmë fjalë se kur do të fillojnë punimet për stadiumin e ri.
Mbi 20 milion euro kushton projekti që do të jetë investim i Federatës Shqiptare të Futbollit, Bashkisë së Korçës dhe Qeverisë me në krye kryeministrin Edi Rama.
Të gjithë në juglindje pyesin me të drejtë: Kur fillojnë punimet!?
Askush nuk jep një përgjigje dhe thjesht deri tani mbetet një projekt në letër, pasi fillimi i punimeve po shtyhet edhe më shumë.
Një ditë qyteti më i madh juglindor i Shqipërisë do të ketë stadium të ri, por se kur, këtë askush nuk di ta thotë.
Shpresojmë që ky vit të jetë të paktën starti i fillimit të punimeve, ndërkohë që këto foto që sjellim vazhdimisht dhe premtimet të bëhen realitet…
