5.6 C
Pogradec
5 C
Korçë
3.9 C
Bilisht
4.6 C
Ersekë
4.3 C
Maliq
5.6 C
Liqenas
Monday, December 2, 2024

Rënia e normave të lindshmërisë do të shndërrojë ekonominë botërore

- Advertisement -

Burimi: Revista Monitor

Përqindja e lindjeve në vendet me të ardhura të ulëta parashikohet të dyfishohet, në 35 %, deri në vitin 2100.

Rënia e normave të lindshmërisë, në shumicën e vendeve, gjatë çerek shekullit të ardhshëm, do të nxisë një ndryshim demografik global, që do të ketë ndikim të gjerë social dhe ekonomik, sipas një studimi të ri.

Tre të katërtat e kombeve, parashikohet të bien nën normat e lindjeve të zëvendësimit të popullsisë, deri në vitin 2050, duke e lënë rritjen të përqendruar në një pakicë shtetesh me të ardhura të ulëta, në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azi, që përballen me kërcënime të forta, nga mungesa e burimeve dhe ndryshimet klimatike.

Studimi i publikuar në revistën mjekësore The Lancet, nxjerr në pah ndarjen gjithnjë e më të mprehtë, midis vendeve, që ende fuqizojnë rritjen e popullsisë dhe atyre, ku numri i lindjeve po pakësohet.

“Ne po përballemi me ndryshime tronditëse sociale, gjatë shekullit të 21-të,” tha Stein Emil Volset, autori i gazetës dhe profesor. “Bota do të trajtojë njëkohësisht një ‘bum foshnjash’, në disa vende, dhe një ‘mungesë foshnjash’ në të tjera.”

Studimi i 204 vendeve dhe territoreve, parashikon se 76 % do të ulen nën normat e zëvendësimit të popullsisë, deri në vitin 2050 – një numër që do të rritet në 97 % deri në vitin 2100. Përqindja e lindjeve në vendet me të ardhura të ulëta, parashikohet të dyfishohet, nga 18 % në 2021 në 35 % deri në fund të shekullit. Vendet e Afrikës Sub-Sahariane, parashikohet të përbëjnë gjysmën e lindjeve globale deri në vitin 2100.

OKB-ja parashikon se popullsia globale, mund të rritet nga shifra aktuale prej rreth 8 miliardë, në 9.7 miliardë në vitin 2050, dhe të arrijë kulmin në gati 10.4, miliardë në mesin e viteve 2080. Por, këto shifra fshehin se si e ashtuquajtura shkalla e lindshmërisë totale (TFR) – numri mesatar i fëmijëve të lindur për femër në jetë – ka rënë tashmë në disa vende, nën nivelin e afërsisht 2.1, që nevojitet për zëvendësimin e popullsisë.

TFR e Europës Perëndimore, parashikohet të jetë 1.44 në 2050, ndërsa 0.82 e Koresë së Jugut do të jetë më e ulëta në botë. Deri në vitin 2100, vetëm gjashtë vende pritet të kenë TFR më të larta se 2.1: Taxhikistani në Azinë qendrore, ishujt e Paqësorit të Tonga dhe Samoa, dhe kombet afrikane të Somalisë, Çadit dhe Nigerit.

Në përgjithësi, ndërsa vendet bëhen më të pasura, gratë priren të kenë më pak foshnje – një prirje e përforcuar nga politikat shtetërore, si rregulli i një fëmije, që Kina vendosi midis 1980 dhe 2016.

Disa vende, si Japonia dhe Hungaria, janë përpjekur në vitet e fundit të rrisin normat e lindjeve, përmes stimujve të tillë si uljet e taksave dhe kujdesi më i lirë për fëmijët, megjithëse asnjë masë nuk duket të ketë pasur shkallën e shpresuar të ndikimit.

Qeveritë, duhet të pranojnë dhe planifikojnë realitetin, që gratë duhet të jenë në gjendje të kenë numrin e fëmijëve, që dëshirojnë, dhe të mbështeten në përputhje me rrethanat, tha Sarah Harper, në universitetin e Oksfordit.

Kjo kërkonte “mendim të bashkuar” në fusha të tilla si, politika e migracionit dhe shqyrtimin, se si popullsia më e vogël, mund të kishte efektin e dobishëm të lehtësimit të presionit mbi tokë, banesa, biodiversitet dhe klimë, shtoi ajo.

“Ne jetojmë në një planet të fundëm dhe popullsitë në rënie – megjithëse janë historikisht të reja – kanë shumë përparësi për shekullin e 21-të, megjithëse kërkojnë modele të reja ekonomike”, tha Harper. / FT

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit