Fshati Strelcë në Bashkinë e Maliqit konsiderohet si një ndër fshatrat me potencial të lartë për zhvillimin e turizmit, në mënyrë të ngjashme si Voskopoja dhe Dardha e Korçës. Megjithatë, në dallim nga këto të fundit, ky fshat ka mungesë infrastrukturore rrugore, gjë që bën që ky fshat të jetë larg destinacioneve turistike të frekuentuara nga vizitorët. Edhe pse ka burime të shumta ujore, historike, kulinare dhe klimë të favorshme, etj.
Mirëseardhja në këtë vend banimi paraqitet me një tabelë udhëzuese e cila shpjegon destinacionet e vizituara, por panorama e parë që të ofron qendra e fshatit është shkolla 9-vjeçare “Hodo Skënderi”, në të cilën dikur kanë mësuar rreth 300 nxënës, ndërsa sot janë mbetur jo më shumë se 20. Vetë fshati sot ka rreth 300 banorë, ndërsa në vitet e para të demokracisë numëronte 1600 persona.
Alfred Skenderi, kryetari i fshatit Strelcë, thotë se Bashkia e Maliqit ka një projekt për të asfaltuar rrugën në një gjatësi prej 2.7 km, e cila është një ndër shkaqet e largimit të banorëve dhe moszhvillimit të turizmit në këtë zonë.
Ndërkohë, banorët thonë se është e nevojshme të ketë një ndërhyrje me disa investime, që edhe ky potencial turistik të jetë në vendet e duhura që duhen vizituar nga turistët.



