Mes shumë marrëzirash, më e madhja është regjistruar ditën e djeshme në Pogradec, ku një qytetar ka zgjedhur të mbjellë një pemë, për të cilën u angazhuan plotë 9 punonjës të Bashkisë Pogradec, vetë donatori, Kryetari i Bashkisë, fotografi i kryetarit, dy punonjës të medias lokale, ose thënë ndryshe 14 persona. Në logjikën e përditshme nëse për çdo pemë të mbjellë aktivizohen 14 persona, rrjedhimisht e gjithë organika e institucionit duhet të jetë e aktivizuar më pastrimin dhe gjelbërimin, për plotë 24 orë për çdo ditë, përfshirë këtu mes tyre edhe kryetari apo nënkryetarët e Bashkisë, së bashku me punonjësit e ujësjellësit dhe ndërmarrjeve të tjera në varësi të bashkisë. Por nëse kjo ju duket e çuditshme, nuk keni parë gjë akoma…
Ngjarja dhe eventi i madh i mbjelljes së një peme të vetme, vazhdoi me faktin që vetë aktiviteti u pasqyrua në faqen personale të kryetarit të Bashkisë dhe në njërën prej mediave lokale në Pogradec. Interesi i mediave me sinjal kombëtar sipas informacioneve ishte i lartë që kjo çështje të transmetohej tek të gjitha televizionet, por kjo gjë nuk u lejua nga zyrtarët e bashkisë, pasi vendosën që ekskluzivitetin ta rezervonin për veten e tyre.
Kjo ngjarje historike e mbjelljes së një peme për Pogradecin, vjen në momentin kur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore zhduken çdo ditë në zonën e Mokrës, të cilat përdoren për dru zjarri, ndërsa kodrat e Gështenjasit dhe Vërdovës, po “qethen” nga drurët e frutit të gështenjës edhe për shkak të Rrugës Qukës – Qafë Plloçë, e cila kalon mes tyre.
Padyshim mbjellja e kësaj peme është ndodhia më e madhe dhe akti më i lartë i kësaj administrate në dy mandate.
Autor: Armand Braho