14 Marsi shënon 137-vjetorin e hapjes së “Shkollës së Parë Shqipe” në Pogradec, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së qytetit. Kjo shkollë ishte e dyta e llojit pas “Mësonjtores” në Korçë. Data e 14 Marsit të vitit 1887 na kujton rolin e rëndësishëm të Pogradecit në lëvizjen patriotike, luftën për pavarësi, dhe përhapjen e kulturës dhe dijes në vend.
Zyra Arsimore Pogradec organizoi një aktivitet për të nderuar këtë datë historike, duke shprehur falënderimin për kontributin e mësuesve të cilët kanë dhënë gjithë jetën për arsimimin e brezave të ardhshëm. Ndër ta Koço Sotiri ishte patrioti dhe udhëheqësi i shkollës së parë shqipe në Pogradec, një personalitet i rëndësishëm për historinë e qytetit të Pogradecit.
Poeti Lasgush Poradeci e ka përshkruar Shkollën Shqipe të Pogradecit si një ndër nderet më të mëdha jo vetëm për atdheun, por edhe për pogradecarët, duke e cilësuar atë si një thesar të çmuar kulturor dhe historik për qytetin.