Nga Redi Dandallaku: PJESËZA JETE NGA PROVINCA E MADHE III
I. Fillim marsi, fillim pranvere dhe ende nuk ndiej pranverë! A mos ndoshta nuk e ndiej vetëm unë këtë fillim pranvere gri! Ndoshta! Mbase dhe jo..!
Dëgjoj, kuptoj, hamendësoj se edhe shumë banorë të tjerë të provincës së madhe nuk e ndiejnë këtë fillim lulëzimi, këtë jetë të re!
Mendoj, ndoshta njerëzia e ka humbur sensin e të bukurës. Po pse? Pse e ka humbur? Domosdo, do të ketë diçka që nuk e ndiejnë?!..
II. Mendoj, kjo provincë e madhe me rrugët bosh gjithmonë pas dreke, të rinj pak shoh, pleq më shumë, hallexhinj ehhh pafund, njerëz që flasin me vete, shtohen çdo ditë. Të papunë, ohooo plot! Dyqanet dihet, “Lëshohen me qira”. Por kush do ti marrë?!..
Dhe kur ec nëpër rrugët e kësaj province të madhe, nuk mendoj për asgjë tjetër, veçse zërat e mungueshëm të provincialëve, ndoshta disa përshëndetje që më mungojnë nga e shkuara. Mirëmëngjes! Si kalon!? Ku, hiç..! Të pakta janë. Kohët nuk janë si më parë.
III. Gjermani! Gjermani! Gjermani! Termin, Termin! Kroaci, Amerikë edhe Angli. Këtë dëgjoj thuajse çdo ditë, edhe pse nuk dua t’a dëgjoj. Nuk më vjen mirë! Vallë të gjithë andej kanë ikur, e unë jam i fundit apo i parafundit, se di..!
Po mirë, kush mbeti këtu?!..
Disi e di edhe këtë, por duhet t’a mendoj edhe pak më shumë deri sa të plas edhe unë!