Burimi: Korça Boom
Skënderbeu-Partizani 3-0
(25-23, 25-14, 25-15)
Skënderbeu në volejboll për femra sapo ka përfunduar ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë ndaj Partizanit, duke fituar 3-0 dhe në këtë mënyrë Skënderbeu kalon në finalen e Kupës së Shqipërisë. Një Bravo e madhe për vajzat korçare dhe për tifozërinë që kishte mbyllur shkallët e pallatit të spotit “Tamara Nikolla”.
Ndeshjen e parë Skënderbeu e fitoi 3-2 në kryeqytet, ndërkohë që sot në orën 17:00 luajti ndeshjen e kthimit dhe fitoi pastër 3-0, duke kaluar në këtë mënyrë në finale dhe duke qenë një hap larg trofeut.
Seti i parë i ndeshjes fillon me barazmin 2-2, ndërkohë që Skënderbeu fillon të shkëputet hera-herës me 1 apo 2 pikë dhe shifrat shkojnë më pas 13-12 dhe 15-12. Këtu duket se Skënderbeu shkëputet, por Partizani rikuperon dhe loja bëhet e bukur në parket, teksa shifrat barazohen në 19-19. Në këtë moment, Skënderbeu zgjohet dhe shënon disa pikë radhazi, duke e çuar rezultatin në 23-19 dhe përfundimisht 25-23, duke mbyllur setin e parë 1-0.
Seti i dytë është më i lehtë se i pari për vajzat e Orlando Kojës, teksa qysh në fillim Skënderbeu krijon diferencë dhe rezultati shkon në 10-7. Më pas sërish avantazhi ruhet në 13-8 dhe 15-11. Pas këtij momenti Skënderbeu e mbyll setin, duke mos lejuar që të afrohen miket dhe e fiton këtë set 25-14 dhe pëfundimisht 2-0 gjendja e seteve.
Seti i tretë fillon 1-1, ndërkohë që Skënderbeu kalon në avantazin 4-3 dhe për herë të parë shifrat thellohen duke pasur shkëputjen e parë vendaset në rezultatin 8-4. Edhe pas këtij momenti Skënderbeu nuk fal dhe thellon diferencën në 13-4. Skënderbeu administron ashtu si duhet këtë set dhe rezultati shkon në 16-8. Më pas vendaset administrojnë diferencën dhe e thellojnë në 19-9 për ta mbyllur sa më shpejt ndeshjen. 22-12 dhe më pas 25-15. Skënderbeu në këtë mënyrë fiton pastër, shpejt dhe bukur 3-0 ndaj Partizanit, rivalit kryesor, duke treguar se është ekipi më i mirë.
Përfundimisht Skënderbeu fiton në 1 orë e 15 minuta lojë dhe me fitoren e ndeshjeve 2-0 ndaj Partizanit, Skënderbeu siguron finalen e Kupës së Shqipërisë.
Tashmë duhet të presim finalen, atje ku Skënderbeu është i avantazhuar, për vetë faktin se është skuadra më e mirë në këtë sezon dhe trofeu është një hap larg.
Per fitoren e ekipit Korçar ka reaguar dhe kryetari Sotiraq Filo, i cili Shkruan:
Jemi në finale të kupës së Shqipërisë!
Vajzat e Skënderbeut në volejboll për femra fituan sot ndeshjen e kthimit përballë Partizanit me rezultatin 3-0.
Pas fitores në kryeqytet në ndeshjen e parë dhe me fitoren e sotme në Korçë vajzat e trajnerit Orlando Koja kalojnë në finale, ku synojnë mbrojtjen e trofeut të fituar sezonin e kaluar.