Burimi: Korca Plus
Skënderbeu po zhvillon paraqitje pozitive në këtë sezon, teksa aktualisht ndodhet vetëm 1 pikë larg “Final – Four”. Ivan Gvozdenovic pas çdo ndeshje thekson se ende nuk mund të flasin për top-4, pasi objektivi kryesor i tyre është qëndrimi në Superiore.
Pavarësisht kësaj korçarët po bëjnë ndeshje fantastike në kampionat, me trajnerin serb që ka ndërtuar një skuadër të lezetshme për t’u parë në fushën e lojës. Lojtarë të rinj në moshë, të cilët kanë marrë përsipër të udhëheqin Skënderbeun në Superiore.
Padiksutim lideri i tyre është Dean Liço. 24-vjeçari është një pikë kyçe e Gvozdenovic për formacionin e “Ujqërve të Dëborës”. Siguria, talenti dhe kualiteti që ky futbollist zotëron, bëri që të “dorëzoheshin” edhe lojtarët e Partizanit si Mehmeti dhe Murataj.
Ndaj kryeqytetasve, Liço kishte edhe një motiv më tepër për të luftuar deri në fund. Në të kaluarën mesfushori ka mbajtur veshur edhe fanelën e kuqe, por u largua nga të kuqtë si një lojtar i padëshiruar në verën e 2022. Pikërisht ndaj Partizanit, tregoi se është një lojtar spektakolar dhe kushdo që nuk besoi te aftësitë e tij e kishte shumë gabim.
Qetësia në mesin e fushës, driblimet, pasimet e sakta dhe siguria e Liços për të nxjerrë skuadrën përpara bëri që korçarët të mbronin deri në fund rezultatin dhe të fitonin 1-0 ndaj demave, me mesfushën e kryeqytetasve që u dorëzua përballë korçarit. “Qershia mbi tortë” ishte goli i shënuar ndaj Partizanit që vendosi edhe fatet e kësaj sfide. Epoo, kot nuk thonë që “karma” ekziston!
Jo më kot, 24-vjeçari ka mundur të luajë këtë sezon në 23 ndeshje, në total 2.051 minuta.
Ka mundur të shënojë 3 gola dhe të asistojë në 4 raste të tjera. Liço padiksutim është “diamanti” më me vlerë i skuadrës së Gvozdenovic, i cili ka kontratë me korçarët deri në qershorin 2025.
Në Korçë në ndryshim nga kryeqytetasit besojnë te aftësitë e këtij lojtari dhe shumë shpejt pritet që drejtuesit t’i ofrojnë në tavolinë edhe rinovimin, pasi në të kundërt një skuadër tjetër mund ta “rrëmbejë” në merkaton e verës.
Talenti i tij është i padiskutueshëm, teksa e ardhmja do të jetë e ndritur. Nuk do të jetë aspak çudi nëse në një të ardhme të afër ta shikojmë të luajë në një kampionat të huaj, ndërsa nuk duhet harruar se ka provuar të mbajë veshur dhe të përjetojë emocionet që të jep fanela kuqezi e kombëtares U-21.