4.3 C
Pogradec
2.3 C
Korçë
2.6 C
Bilisht
2 C
Ersekë
1.8 C
Maliq
4.1 C
Liqenas
Thursday, December 12, 2024

Motori i turizmit, pse nuk po e tërheq ekonominë

- Advertisement -
Shqipërinë e vizituan më shumë se 10 milionë të huaj në vitin 2023, duke arritur kështu një rekord historik. Ky bum ka sjellë rritje të të ardhurave, që vijnë direkt nga turizmi në ekonomi, por edhe të të ardhurave indirekte tek industritë mbështetëse, apo të lidhura me sektorin, që njihen si zinxhir i vlerës. Këtu bëjnë pjesë industri nga më të ndryshmet, nga tekstilet për hotelerinë dhe shërbimin ushqimor (HORECA) te kantinat e verës apo makinat me qira. Por, efekti pozitiv nuk është transmetuar te të gjithë. Disa sektorë që duhet të kishin ndikim pozitiv nga kjo rritje e turizmit si birra, bujqësia apo blegtoria, po përjetojnë në fakt tkurrje të vazhdueshme. Cilat janë arsyet që zinxhiri i vlerës për disa industri nuk po funksionon dhe si mund të forcohen këto hallka për të maksimizuar përfitimin ekonomik dhe social nga turizmi?
Nertila Maho

Në fund të dhjetorit, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria përfitoi nga turizmi gjatë vitit 2023, të paktën 3.2 miliardë euro.

Me të drejtë, euforia për një vit edhe më të mirë gjatë 2024-s po ndihet në çdo dalje të përfaqësuesve të qeverisë, me një nxitim për të mbyllur e për të hapur kantiere rrugësh, për të ndjekur çdo panair jashtë kufijve, e për të “ndarë” në rrjete sociale çdo artikull promovues ndërkombëtar.

Si për ironi në këtë vrull të marketingut pozitiv, nuk kanë munguar as ngjarjet që shkundin “parajsën” tonë turistike, siç janë protestat e blegtorëve në Jug të vendit, apo të fermerëve të mollëve në Korçë, të cilët kanë hedhur në rrugë mundin e një viti.

Fokusimi te turizmi, si sektori që mund të zgjidhë të gjitha problemet e ekonomisë, mund të jetë i vërtetë, madje mund të zgjidhë edhe shqetësimin e blegtorëve të Jugut dhe fermerëve të Korçës e më gjerë, por që kjo të ndodhë, ka nevojë që hallkat e zinxhirit të vlerës të lidhen fort.

Rritja e vazhdueshme e sektorit të turizmit ka treguar se industritë mbështetëse të tij apo të lidhura me të mund të përfitojnë, duke u rritur me të njëjtat ritme. Shembull i kësaj janë makinat me qira, kantinat e verës, tekstilet për hoteleri e restorante që raportojnë shifra optimiste.

Për disa sektorë të tjerë, kjo rritje nuk mund të vijë në mënyrë natyrale dhe ka nevojë për orientim e mbështetje. Bujqësia, blegtoria dhe prodhimi vendas në tërësi janë hallka që duhet t’i lidhë dhe forcojë qeveria, por diçka duket se nuk po funksionon dhe raportet po shkojnë në kah të kundërt.

Në këtë pikë, pyetja që lind vetvetiu është sesi mund të nxiten industri të rëndësishme mbështetëse, ose të lidhura me turizmin, për të maksimizuar përfitimin e ekonomisë në tërësi dhe a duhet që këtë ta udhëheqë biznesi apo qeveria?

Shqipëria të orientohet te modeli i qëndrueshëm dhe nxitja e prodhimit vendas 

Shqipëria ia doli që, në një formë apo në një tjetër, të kthehet në destinacionin e preferuar të turistëve në vitin 2023, duke u bërë kryefjalë e mediave ndërkombëtare, por edhe raporteve të Organizatës Botërore të Turizmit.

Arritja e këtij objektivi e bën rrugën para edhe më të vështirë, duke kërkuar që rritja të vijojë dhe të bëhet e qëndrueshme, duke rritur edhe të ardhurat.

Në këtë udhëkryq, Shqipërisë i duhet të bëjë zgjedhjen e saj për modelin që do të ndjekë në turizëm.

Për Zak Topuzin, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, një ofertë e kombinuar me të gjithë elementet është zgjedhja më e mirë, për të garantuar të ardhura gjithëvjetore.

“Mendoj se kombinimi i turizmit elitar, pa lënë pas dore të gjitha llojet e tjera të turizmit, është formula magjike për të ruajtur një ekuilibër të qëndrueshëm. Investimet strategjike në turizëm janë zhvilluar gabim. Ndërtimi i rezidencave për shitje e jo për turizëm dëmton potencialin e destinacionit.

Ky nuk është turizmi elitar. Dhe një hotel luksoz nuk është turizëm elitar. Turizmi elitar kërkon krijimin e një destinacioni elitar, i cili do shërbime elitare ku përfshihen porte jahtesh, hotele e rezidenca me pesë yje, restorante e dyqane luksi, etj.”, – shprehet z. Topuzi.

Identifikimi i një destinacioni ka në tërësi elemente të shumta, por të qenët autentik e bën gjithmonë më të lehtë garën. Ndaj prodhimet vendase, si një nga avantazhet që mund të shfrytëzohen, duhet të shihen me prioritet.

Për z. Topuzi, prodhimet vendase duhet të mbështeten dhe mbrohen për të siguruar mbijetesën e tyre, që nuk është e lehtë në garën me importin. Këtu nuk bëhet fjalë për ndërhyrje madhore, që pengojnë ekonominë e lirë, por për masa mbështetëse të prodhimeve, që i japin vlerë të shtuar sektorit të turizmit.

“Ligji për turizmin ka një kapitull të veçantë që lidhet me vendosjen e standardeve dhe klasifikimin me yje të hoteleve, bujtinave, etj. Ka një pikë të rëndësishme, ku përdorimi dhe shitja e produkteve vendase e lokale vlerësohet me 10 pikë.

Aq të rëndësishme janë këto 10 pikë sa mund të zëvendësoje shumë shërbime që ti si njësi nuk mund t’i realizosh, ose kanë kosto të lartë investimi (Vlerësimi me yje i një hoteli është një sasi e caktuar pikësh nga shërbimet që realizon subjekti).

Kjo mund të nxitë përdorimin e prodhimeve vendase e lokale dhe të shtojë interesin e banorëve për të prodhuar. Mbetet që qeveria të angazhohet për të filluar procesin e kategorizimit me yje të njësive akomoduese, një kërkesë e domosdoshme dhe e tregut.

Subvencionimi real direkt i bujqësisë dhe blegtorisë nga qeveria është zgjidhja përfundimtare. E pamundur në ndonjë vend të botës të gjesh prodhimet vendase të konkurrohen nga ato të importit, politikat frenuese ndaj importeve, duhet të jenë në themel të një shteti”, – nënvizon ai.

Masat që mund të merren në bujqësi dhe blegtori që të përfitojnë nga turizmi 

Turizmi dhe bujqësia janë dy sektorë që mund të përfitojnë nga njëri-tjetri, duke rritur ndikimin pozitiv në ekonomi, por sidomos për rajonet rurale.

Ilir Pilku, ekonomist bujqësor dhe njëkohësisht menaxher në Studion e Financimit Alternativ, i cili operon si konsulent në sektor, vlerëson se mbështetja që jepet në sektor duhet të jetë më intensive.

Bujqësia dhe blegtoria kanë potencialin të rriten më vete, duke synuar zgjerimin e eksporteve, por mund t’i japin vlerë dhe të marrin përfitim domethënës edhe nga sektori i turizmit, nëse merren masat e nevojshme.

“Përpos rritjes së buxhetit të financimit direkt të sektorit bujqësor, nevojiten edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera si p.sh.:

a). Kryerja e studimeve të plota të tregut për të identifikuar produkte me kërkesë të lartë, si në tregun e eksportit ashtu edhe në atë të turizmit, pra përcaktimi i avantazheve tona konkurruese;

b). Zbatimi dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare të cilësisë për produktet bujqësore.

c). Inkurajimi apo adoptimin e teknologjive moderne bujqësore, për të përmirësuar produktivitetin, efikasitetin dhe cilësinë e produktit nëpërmjet sistemeve të avancuara dhe praktikave të zgjuara bujqësore do të rrisin konkurrencën e sektorit bujqësor;

d). Mbështetja e investimeve në industrinë përpunuese për t’i shtuar vlerën produkteve bujqësore. Rritja e produkteve të përpunuara dhe të paketuara jo vetëm që kanë potencial më të lartë eksporti, por gjithashtu do të plotësojnë kërkesat e sektorit të turizmit;

e). Promovimi i produkteve bujqësore në tregjet ndërkombëtare përmes panaireve tregtare, ekspozitave dhe fushatave të marketingut.

Një vlerë e shtuar do të ishte rritja e aftësive negociuese dhe sigurimi i marrëveshjeve të favorshme tregtare për të lehtësuar aksesin në treg për eksportet bujqësore”, – nënvizon z. Pilku.

Sipas tij, duke përafruar strategjitë, duke u fokusuar në cilësi dhe duke krijuar sinergji midis bujqësisë dhe turizmit, rajonet mund të krijojnë një avantazh konkurrues në të dy sektorët.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit