Pogradeci është një ndër qytetet që vazhdimisht mbetet “jetim” nga deputetët të cilët votëbesohen nga komuniteti i tyre. Edhe në legjislaturën e re duket se deputetët kanë marrë drejtime të tjera larg qytetit. Prej vitit 2017 të zgjedhurit të dalë nga Pogradeci ishin Blerina Gjylameti nga Partia Socialiste, e cila pasi mori mandatin u zhduk nga Pogradeci duke u transferuar për në Tiranë. Ajo në asnjë nga fjalët e saj në kuvend, nuk përfaqësoi komunitetin që e votbesoi. Në atë kohë, një luftë e brëndëshme e madhe u bë brënda të majtëve të cilët ishin të ndarë ndërmjet Avokatit Bledi Çomo, një figurë politike me kontribute në qytet dhe Gjylametit, një e katapultuar nga qëndra për të mbledhur votat e bazës në Pogradec. Duket se ata që u zhgënjyen më tepër për Blerina Gjylametin ishin vetë socialistët, ku nuk kanë se ku të qajnë hallet e tyre, pasi deputetja që i mori votat u arratis.
Situata në kampin opozitar është pak më ndryshe, deputeti i tyre i zgjedhur Seladin Jakupllari, duket se nuk i mbron interesat e të gjithë opozitarëve në Pogradec, që prej përçarjes së PD-së dhe pozicionimit të tij në kampin Basha. Por ajo që shkon edhe më tej dhe dukshëm është e konstatueshme, qëndron në faktin se që prej 7 Tetorit 2021, Jakupllari nuk ka mbajtur asnjë fjalë në Kuvendin e Shqipërisë, duke mos bërë kështu detyrën për përfaqësimin e komunitetit.
Pogradecipress.al pyeti publikun nëse ata i njihnin të zgjedhurit e tyre, por edhe pse artikulli u lexua nga afro 4.000 persona, të paktë ishin ata që komentuan. Tek tuk në ndonjë koment u përmend emri i doktor Seladin Jakupllarit. Ndërsa nuk munguan as komentet pikante që shprehnin revoltën për të zgjedhurit.
Në këto kushte ne ndodhemi pikërisht 1 vit para zgjedhjeve të përgjithshme dhe tashmë është më e paqartë se kush do rreshtohet në listat e deputetëvë nga qyteti i Pogradecit. Sidomos kur opozita është e përçarë dhe të majtët janë të detyruar t’i binden qëndrës edhe për emrat që caktohen nga lartë.
Gjithsesi deputetët e Korçës, duket se kanë ngarkesën për të përfaqësuar edhe Pogradecin në legjislaturat parlamentare. I ka zënë halli të shkretët..


