Kujtojmë sot korifeun e mjekësisë shqiptare Dr. Jani Bashon në 67-vjetorin e ndarjes nga jeta. Postulati i tij “SA KAM SHPIRT, KAM SHPRESË” mbetet sot një frymëzim për çdokënd.
Dr. Jani Basho u lind në Pogradec në vitin 1892. Mësimet e para i mori në Manastir dhe më pas, në vitin 1914, fitoi të drejtën e studimit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Vjenës.
Gjatë studimeve në Vjenë është me rëndësi të përmendet letra e shkruar ne dhjetor të vitit 1918, të cilën bashkë me studentë të tjerë shqiptarë, i’a dërguan presidentit amerikan Wilson, për t’i dalë në mbrojtje çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris. Ndër të tjera studenti Basho i shkruante presidentit amerikan fjalët përgjëruese për fatin e kombit të vet: “Zotëri! Ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar, ta merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj.” Përpjekja e tij për të mbrojtur çeshtjen shqiptare nuk reshti. Në vitin 1921, në emër të Shoqërisë Shqiptare të Studentëve në Vjenë, i dërgon telegram Lidhjes së Kombeve për të mbrojtur civilët të cilët po shpërnguleshin nga pjesa veriore i trojeve shqiptare (kopja e origjinalit tregohet në figurën e mëposhtme).
Pas kryerjes se studimeve në Vjenë, jep një kontribut të vyer në mjekësinë shqiptare si themelues i Shërbimit Mjekësor Ushtarak apo drejtor i parë i Spitalit Ushtarak të Shqipërisë në vitet 1928 deri në 1935.
Gjithashtu Dr.Basho është themeluesi i Shërbimit Shkencor të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Shqipëri.
Intelektual dhe patriot i paepur i cili do të mbetet përjetë në piedestal të atdhetarizmit shqiptar.