4.6 C
Pogradec
3 C
Korçë
3.9 C
Bilisht
2.8 C
Ersekë
2.1 C
Maliq
5.2 C
Liqenas
Monday, December 9, 2024

Turizmi në Korçë: Nga shpërthimi në heshtje…/ Një analizë aktuale nga Ardit Konomi

- Advertisement -

Nga: Ardit Konomi

​Sa për parantezë të kësaj që vijon, unë i përkas fesë social-ekonomike që midis të tjerash beson se ka një rrezik tek mbivlerësimi i turizmit si aktivitet ekonomik.

Sa për hyrje, modelet ekonomike të aplikuara apo edhe ato vetëm të teorizuara deri më sot, e shohin turizmin si një lloj importi me raport të përmbysur.

Dmth nuk sillet produkti tek konsumatori por konsumatori tek produkti.
Tek produkti dmth.

Në këtë kuptim, turizmi është dhe do të mbetet një sektor ekonomik i rëndësishëm dhe Shqipëria së fundmi po krijon produkt të mirë dhe ka bërë kapërcim epokal në këtë drejtim.

Përtej bregdetit, thuajse çdo krahinë dhe qytet ka filluar ta vlerësojë mundësinë për turizëm dhe të bëjë përpjekje për të krijuar profile që përshtaten me vendin dhe që i ngjisin tregut.

Me raste edhe më mirë, më shtrirë e më qëndrueshëm se bregdeti.
Korça jo. Ajo që e filloi.

Turizmi nuk lindi vetvetiu këtu.

Nga 2007 deri në 2017, Korça shënoi rekorde të larta dhe krijoi e zbatoi modele pioniere në fushën e turizmit lokal dhe përtëritjen e ekonomisë nëpërmjet tij por shpejt më pas u vërejt tendenca e parë rënëse, e cila u ndërpre përkohësisht në periudhën pandemike kur pati përsëri një vit relativisht të mirë turistik dhe më këtej drejt tatëpjetës ku gjendet sot.

Sepse edhe është edhe nuk është vetëm çështje produkti.

Korça, edhe vetëm ashtu siç e ka bërë Zoti, natyra dhe korçarët, mund të jetë pjata më e mirë e këtij restoranti por në fund të fundit dikush duhet ta pregatitë dhe shërbejë.

Për fakt, struktura politiko-administrative që sot drejton lokalisht dhe që është trupi direkt përgjegjës për këtë (sidomos në kushtet aktuale ku turizmi është laj-thaj i vetmi aktivitet ekonomik në fokusin e saj) gjendet tërësisht jashtë loje, e paorientuar në kuptimin e fushëpamjes që arrin të ketë dhe e paditur në kuptimin e rolit dhe përgjegjësisë që ka. Rezervohem të them e painteresuar ndonëse më shkon ndërmend.

Viti që kaluam shënoi rekorde turizmi të pamenduara për Shqipërinë. Për Korçën shënoi kufirin më të ulët të numrit të vizitorëve, qëkurse këta kanë filluar të numërohen.

Viti që filluam nuk e ka Korçën në asnjë foto të kalendarit të tij dhe punët nuk duken mirë.

Vizitat individuale kryesisht nga brenda vendit, sa vjen dhe rrallohen jo për faj të Korçës por sepse turizmi ashtu si çdo aktivitet tjetër konsumi, ka ciklin e tij të oreksit dhe ngopjes. Cikël i cili bëhet aq i gjatë sa lejon oferta dhe shumëllojshmëria e saj edhe aq i gjerë sa mundëson hapja dhe shtrirja e gamës dhe e profilit të frekuentuesve.

TourRadar, platforma më e madhe që përfshin turet ballkanike, e ka Shqipërinë pjesë të 98% të ofertave të 2024s.

Në cirkuitin brenda territorit shqiptar të të gjithë kësaj morie turesh, përfshihen rregullisht Tirana, Shkodra, Gjirokastra, Berati, Vlora dhe më pak Saranda.

Edhe Elbasani e Pogradeci gjenden atje.
Korça as edhe një herë të vetme.

Në turet e organizuara prej operatorëve shqiptarë, Korça bëhet pjesë e vetëm tre prej tyre, nga të cilët dy përfshijnë qëndrimin një natë dhe i treti e prek tranzit.

Prandaj këtij tregu i nevojitet politikëbërja lokale dhe organet politikazbatues.

Ashtu siç i duhet një hotelieri të negociojë vazhdimisht me operatorët, të kujdeset për mjediset dhe shërbimin që ta mbajë të gjallë ekonominë e tij, ashtu i kërkohet qeverisjes vendore të bëjë kaq gjë për territorin në ngarkim.

Të paktën kaq, për të mos hyrë më thellë në gjithë ato punë të tjera të rëndësishme që nevojiten për të mirën e përbashkët.

Sepse është potencial që shndërrohet në ekonomi.

Dhe mund të bëhet ajo lloj ekonomie që kthehet në mirëqënie të gjerë.
Sidomos në rastin e Korçës.
Veçanërisht në këtë rast.

Ky qytet, këto fshatra, ky komunitet, kanë mundësi të vërteta të bëhen më mirë e më të pasur.

Ama duhet punë dhe punë e madhe sepse zhvillimi dhe përparimi nuk vijnë vetë dhe vetkënaqësia gjithmonë i ka mbyllur derën së ardhmes.

Realiteti është ai që është si ta shohësh në sy, si ti bësh bisht.

Vështirësitë janë gjithmonë rrotull por si gjithmonë më shumë bëjnë mirë se sa keq.

Paaftësia dhe padituria mund të jenë arsye penguese por nuk janë justifikim ndërsa braktisja e detyrës është faj.

I matshëm dhe i ndëshkueshëm.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit