Nuk është ndeshja e sezonit por duhet fituar me çdo kusht, trajneri Gvozdenoviç kërkon suksesin pas tre humbjeve radhazi.
Skënderbeu luan të shtunën e stadiumin e tij ndeshjen e radhës ndaj Dinamo City, një sfidë kjo që për trajnerin e bardhekuqve Ivan Gvozdenoviç duhet fituar me çdo kusht për të mos komplikuar më tej pozitat e ekipit në fundin e tabelës së klasifikimit.
‘Kjo ndeshje duhet fituar me çdo kusht se diferencat në pikë janë të vogla mes 7 skuadrave nga mesi e poshtë në tabelën e renditjes. Nuk e konsideroj si finale vendimtare, nuk mund të them ndeshja e sezonit por është për ne mjaft e rëndësishme’ tha Gvozdenoviç.
Skënderbeu vjen pas tre humbjesh radhazi dhe në këtë sfidë e ka të detyrueshme të bëjë kthesën, megjithse do të jetë fusha ajo që do tregojë potencialin e dy skuadrave pavarësisht synimit të tyre për fitore.
Ramos dhe Rabiu janë mungesa të konfirmuara për Skëndërbeun për shkak kartonësh, por Gvozdenoviç u shpreh i qetë se do të gjejë opsionin për zvendësimin e tyre.
Sot ekipi i Skënderbeut kryen stërvitjen e fundit para se të përballet nesër në ora 17.00 në stadiumin e tij me Dinamon.