KULTURA E MUZIKËS NË KORÇË, PËRPARA 100 VJETËVE (1924), NJË SHUPLAKË PËR “ARRITJET” E DITËVE TË SOTME.
Nga Ilia V. Ballauri
Në qoftë se sot pas 100 vjetëve do të na jepej mundësia, të ktheheshim prapa në prillin e vitit 1924 dhe të ecnim rrugëve ose, në bulevardet e Korçës dhe të pyesnim kalimtarët se ç’janë: Overtura ’’Sakundala’’ e Goldmarkut; Vesper Time të Pfluegel-it; Beautifull Rainboë të Odell-it; Du du liegst mir mi Hersen; Minuit-i i Bocherinit; Beautifull Night Barcalota dhe Serenada e Schubert-it; apo cilët janë, Fritz Kreisler, Galli Curci, Luisa Tetrazinni, etj, etj, që do të lexoni në vazhdim, sigurisht që do hidheshin plot prej kalimtarëve dhe do të na sqaronin e do të na informonin më së miri për sa mësipër.
Një gjë e tillë sot në vitin 2024, duket utopi. Në po ato bulevarde sot ka kryesisht kalimtarë që përveç “xhamit” të smartfonit, nuk kanë asnjë kulturë tjetër.
Më poshtë po sjell një artikull nga Gazeta ’’Koha’’ 12 Prill, viti 1924 që mban të nënshkruar si autor, një artikullshkrues me inicialet A. F. që për mua mbetet anonim. Le ta lexojmë duke reflektuar, mbi nivelin e dikurshëm të qytetit tonë që sot është për tu patur zili.
* * *
KONSERTI I SHOQËRISË ARTEVE TË BUKURA
“Pa bujë dhe pa zhurmë shoqëria e Arteve të Bukura po vepron e po punon për të stërvitur komunitetin e Korçës në lëvizje sociale, shumë të nevojshme për përparimin e vendit.
Konsetri që u dha të dielën e shkuar në Kopshtoren e Mitropolisë ish një pjesë e veprave të saj të gjalla për këtë vit dhe u prit me gëzim të math prej popullit; një i dytë e pasoj të martën mbrëmavet – se i pari ish (strict) vetëm për familje – që kapërxente çdo shpresë dhe enkurajoj aqë pjesëtarët e Shoqërisë sa edhe djelmurinë.
Nuk kishin mbaruar edhe pregatitjet kur plakosi turma. Zoja, zojushe dhe zotërinj, që të gjithë të gëzuar, vrapuan kush e kush më parë të zinte vënd të mirë. Më ora 8,30 salla e kopshtores u mbush tej e tej; më 8,30 s’kish vend të lëshuar dhe shumë familje s’mundë të hyjnë dot. Overtura ’’Sakundala’’ e Goldmarkut, e lojtur prej bandës kombëtare Vatra, hapi koncertin.
Orkestra e shoqërisë e pasoj me disa copë të zgjedhura, të cilat e kënaqnë më tepër gjindjen. Prof. Ch. Roland tregoj një talent të veçantë në violi, me ëmbëlsirën që nxirte nga violia e tij, të kujtonte violinistin austriak të math, [Fritz] Kreisler* i cili gjetkë nuk pat më shumë sukses se Prof. Ch.Roland këtu të dielën e shkuar.
Gjith ashtu me brohori e me enthusiazmë u prit Prof. P. Leglise, i cili është një tenor tepër i ëmbël dhe ka një cilësi të veçantë në të kënduar. Celeste Aida e Verd-it u interpretua shumë bukur prej zotërisë së tij. Galli Curci** dhe [Luisa]Tetrazinni*** do t’a shihnin me një sy lakmonës Mme Leglise e cila e këndoj këngën e Rossinit prej Barbier de Sevile me një talent të çuditëshmë, kapërxeu çdo lëvdatë.
Entre-aktin (hyrjen) e hapi mandolinata e shoqërisë me Vesper Time të Pfluegel-it, me Barcarolë-n të Offenbach-ut dhe Beautifull Rainboë të Odell-it. Mandolinata, jashtë një gabimi që bëri në Beautifull Night, la përshtypje të thellë që na jep kurajo të parëshëkojmë një sukses të plotë për konsertat e pritme që shpresojmë të japë shoqëria e Arteve të Bukura.
Zotësia e njohur e Prof. Thoma Nassi në flautë u duk edhe një herë në këtë konsert kur lojti solo, variasionet me këngën gjermane Du du liegst mir mi Hersen. Preluden e F. Chopin-it interpretoj në pjano mjaft bukur Z-a Nassi, me gjith që është një nga solot më të zorshime. Barcalota dhe Serenada e Schubert-it e Minuit-i i Bocherinit u lojtnë prej trios (Z-a e Zi Nassi dhe Prof. Ch. Roland) me një ëmbëlsirë që tingëllonin dhe lëndonin fortë zemrën e dëgjonjësve.
Me një fjalë konsertin që dha shoqëria e Arteve të Bukura të Djelën dhe të martën e shkuar do jenë për popullin e Korçës, një kujtim i ëmbël dhe një shënjë që vëndi këtu, mund të japë dhe të presë vepra sociale serioze, të cilat i ritin dhe i naltësojnë shpirtin njeriut. Le të shpresojmë që konsertat do realizojnë përçapjet që po bën sot kjo shoqëri për të mirën e tyre dhe që do ta përkrahin atë në lëvizjet e saj, për përmirësimin e vendit.
Nga ana jonë e përgëzojmë shoqërinë për këto veprime të pëlqyera dhe lusim që paskëtaj të na japë dhe vepra dramatike. Gjith me këtë rast u lutemi bashkë-qytetarëve tanë që të interesohen pak më tepër për mbarëvajtjen e kësaj shoqërie, e cila gëzojmë që për pak kohë të bëhet një element i fortë për stërvitjen e djelmurisë në lëvizje shoqërore. Le të shpresojmë.”
* * *
Shënime për krahasimet e bëra në artikull (I.V.B.)
Friedrich “Fritz” Kreisler (1875 -1962) violinist, maestro, kompozitor amerikan me origjinë austriake, ndër më të mëdhenjtë në kohën e tij dhe njëkohësisht një ndër më të mëdhenjtë për të gjitha kohërat, i quajtur edhe “Mbreti i violinës” shquhej për ëmbëlsinë e tingjve dhe shpehje të veçantë. Shih foton e kohës në krah.
*
Amelita Galli Curci, (1882 – 1963) italiane, ishte një prej sopranove më të njohura, më të vlerësuara dhe më të dashura në fillim të shek. 20-të e cila më pas u vendos në Amerikë. Cruci realizoi edhe regjistrime diskografike mes të cilave edhe “Lucia di Lammermoor” së bashku me Enrico Caruso, Minnie Egener e Giuseppe De Luca, etj. Fotoja në krah
*
Luisa Tetrazzini, (1871 – 1940) ishte soprano italiane tepër e njohur për kohën e saj. Luisa Tetrazzini pati një karierë të veçantë diskografike për kohën e saj, duke realizuar shtatëdhjet e tetë regjistrime nga viti 1904 deri në vitin 1922. Për fat të keq, meqënëse inçizimet e asaj periudhe ishin në fillimet e tyre, zëri i saj nuk mund të shijohet sa duhet.
Së fundi, sqaroj se në koncert kanë marrë pjesë prof. e Liceut Francez në Korçë: Roland, Leglise, etj që përmënden më sipër.
Ilia V. Ballauri ©
Nxjerrë nga: “Korça Encyclopedica” nr. 16 fq. 306, 307, 308.
Ilustrimet, të tre artistët e dikurshëm që përmenden në artikull.