Muzeu i Asdrenit në fshatin e tij të lindjes në Drenovë ka degraduar plotësisht. Bashkia nuk ka vënë dorë për restaurimin e godinës, ndërsa dokumentet historike janë dëmtuar nga lagështia
Fakte historike, dorëshkrime, fotografi të vjetra dhe sende etnografike po shkatërrohen nga lagështia. Muzeu i poetit dhe shkruesit të Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavre Drenova është lënë prej vitesh në degradim të plotë.
“Pakkush e di se sot në Drenovë gjendet një muze dedikuar Asdrenit”
Kryetari i fshatit, Vangjel Nasi në mënyrë vullnetare shërben si cicëron për ata pak turistë që kërkojnë të vizitojnë muzeun.
“Çelësat i kam unë por nuk ke çfarë shikon. Ata që vijnë thonë turp turp që e kanë lënë kështu!”- tha Vangjel Nasi
Ai tregon se dëmet më të mëdha u shkaktuan në kohën kur qeveriste PD-ja, pasi materialet historike u hodhën në lumë.
“Muzeu i dikurshëm ishte në një godinë me 8 dhoma. Në kohën e PD-së, ajo godinë u bë qendër komune, ndërsa materialet nuk u morën dhe nuk u sollën këtu në këtë godinë që shërben si qendër kulture, por u hodhën në lumë”, tha Nasi.
Muzeu menaxhohet nga Bashkia e Korçës, e cila prej vitesh nuk ka vënë dorë për restaurimin e godinës dhe as për mirëmbajtjen e këtyre pak copëzave të historisë! Edhe pse ndodhet 3 kilometra nga Korça, Drenova është prekur nga lëvizja demografike. Nga 4 000, sot kanë mbetur 150 banorë.