0.4 C
Pogradec
0.8 C
Korçë
-0.6 C
Bilisht
1 C
Ersekë
-0.2 C
Maliq
0.9 C
Liqenas
Tuesday, January 14, 2025

Rënia e prodhimit të vajit të ullirit. Ministria e Bujqësisë e angazhuar vetëm te dhënia e informacionit

- Advertisement -

Rënia e prodhimit të ullirit këtë vit, sipas Ministrisë së Bujqësisë, u ndikua nga dukuria e periodicitetit e njohur për kulturën e ullirit dhe kushtet klimatike. Por hapja e tregut të eksportit për vajin e ullirit vitin e kaluar dhe kontratat e lidhura edhe për këtë vit që prodhimi është i ulët, do të sjellë një rritje të konsiderueshme të çmimit të vajit të ullirit, nënvizon Ministria e Bujqësisë për “Monitor”.

Zgjidhja si në rast mbiprodhimi dhe nënprodhimi sipas Ministrisë së Bujqësisë duhet të nisë që nga investimet në mekanizmin e punimit dhe vjeljes së ullirit, ruajtjen dhe prodhimin me cilësi të vajit duke rritur numrin fabrikave dhe përpunuesve që bëjnë grumbullimin e vajit nga prodhuesit e vegjël.

Për të zgjidhur problemet e vajit të ullirit, që nga shtimi i kapaciteteve grumbulluese, depozituese, paketuese dhe etiketimin e tij, ka nisur zbatimi i programit  “Ulliri dhe cilësia e vajit të ullirit në Shqipëri shtator 2023-2024” nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) në bashkëpunim me ministrinë dhe subjekte të tjera private dhe publike, financuar nga Projekti Risi Albania që fillimisht ka nisur me ofrimin e asistencës për fermerët për bashkimin e ngastrave, mekanizimin e ullishtave për të vijuar më tej me disbursim të fondeve grand si dhe përmirësim të shumë akteve nënligjore.

Sa ton vaji ulliri u prodhuan në vitin 2021 dhe në vitin 2022? Sa ton vaj parashikohet për 2023?

Për vitin 2021 u prodhuan 25,882 tonë vaj ulliri. Për vitin 2022, prodhimi i vajit të ullirit ishte 29,230 tonë (rritja 13%). Lidhur me situatën e prodhimit është ende herët për të përcaktuar sasinë e prodhuar të vajit të ullirit për vitin 2023 duke qenë se nuk është vjelë e gjithë sasia e ullinjve.

Vjet pati mbiprodhim, por s’pati treg shitje, vaji nga fermeri u shit nën kosto. Së pari, pse këtë vit ka rënë prodhimi i vajit të ullirit? Si pritet të zgjidhet kjo problematikë e sektorit, pra si mbiprodhimi dhe kur nuk ka prodhim të ulët?

Prodhimi periodik është dukuri e njohur tek ulliri, si dhe ngarkesa e lartë e prodhimit në vitin e kaluar, ka ndikuar në uljen e prodhimit gjatë këtij viti. Ulliri ashtu si kulturat e tjera shumëvjeçare drufrutore, mbart fenomenin e njohur si “prodhim të alternuar të prodhimit”, ku një vit me prodhim të bollshëm (i quajtur “viti me ngarkesë”) pasohet nga një vit me prodhim të dobët (të quajtur “vit pa ngarkesë”).

Në një ullishte luhatjet e prodhimit nga njëri vit në tjetrin deri në kufijtë e 30% konsiderohet normale.

Në kushtet e vendit tonë me gjendjen e ullishtave dhe me shërbimet që kryhen, në përgjithësi nga një analizë e bërë për shumë vite ka rezultuar me rezultate mjaft të theksuara të periodicitetit, që në vite të veçanta ka arritur raportet 1:16 – 1:20, madje edhe më tepër në ullishtat e vjetra dhe kultivarë të ndryshëm, kundrejt raporteve 1:1.5 ose 1:1.2 që realizohet në zona të përshtatshme për ullishte dhe ku shërbimet agronomike kryhen në mënyrë optimale.

Kushtet klimatike, lagështia e tepërt në kohën e lulëzimit ka ndikuar në procesin e lidhjes së frutave. Po ashtu, thatësira e tejzgjatur gjatë periudhës së verës, ka ndikuar në rrëzimin e frutave dhe rritjen e madhësisë së frutës, pasi një pjesë e mirë e sipërfaqes së ullishtave janë mbjellë në toka kodrinore pa mundësi ujitje.

Hapja e eksportit për vajin e ullirit vitin e kaluar dhe kontratat e lidhura edhe për këtë vit që prodhimi është i ulët do të sjellë një rritje të konsiderueshme të çmimit të vajit të ullirit.

Luhatshmëria e prodhimit nga njëri vit në tjetrin vjen edhe për shkak të copëzimit të madh të ngastrave të ullirit, që e bën prodhimin jo efikas. Për të ulur disnivelet e prodhimit të ullirit duhet të mbillen varietete me periodicitet të ulët. Gjithashtu rekomandohet të zgjidhen problemet në nivel ferme si, teknologjitë jo të përparuara dhe pamjaftueshmëria e investimeve në ullishte nga vetë fermerët.

Në rast mbiprodhimi, zgjidhja është investimi në mekanizimin e vajit të ullirit, në ruajtjen e tij që të mos humbasë vlerat, në përmirësimin e marketingut, ndërtimin e fabrikave me teknologji të përparuar që prodhojnë vajra të cilësisë së lartë, gjithashtu në rritjen e numrit të përpunuesve që bëjnë grumbullimin e vajit nga prodhuesit e vegjël, por edhe nga përpunues që kanë kapacitete më të ulëta grumbullimi.

Përgjatë vitit 2023 AKVMB Në kuadër të Planit të Monitorimit të Dëmtuesve për Vitin 2023,  ka monitoruar problematikën fitosanitare të bimës së ullirit Oleae europeae, kryesisht për dëmtuesin karantinor Xylella fastidiosa dhe dëmtuesin jokarantinor të rregulluar DJKRr Bactrocera oleae

Për bimën e ullirit janë marr 347 mostra për analizim pranë laboratorit të mbrojtjes së bimëve të ISUV si bima bujtëse kryesore me interes ekonomik që preket nga X. fastidiosa. Mostrat për bimën e ullirit (Olea europaea) u morën si në pemëtoret e kultivuar në blloqe dhe në ato të shpërndara.

Nga Raport Provat e prodhuara  nga ISUV dhe të administruara nga AKVMB rezulton që në asnjë nga mostrat nuk ka prani të X. fastidiosa (Wells et al.). Në Shqipëri nuk kemi prani të këtij dëmtuesi karantinor.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), në bashkëpunim me QTTB Vlorë ka koordinuar punën për detajimin e monitorimit e vazhdueshëm dhe marrjen e mostrave nga kultura e ullirit.

Miza e ullirit Batrocera oleae (Rossi) është një dëmtues monofag i listuar si dëmtuesi kryesor i ullirit duke shkaktuar në vite të caktuara dëm në prodhim me pasoja të rëndësishme ekonomike. Nga monitorimi dhe analizimi i mostrave të kokrrave të ullirit të kampionuar ka rezultuar:

Në kushtet atmosferike të këtij viti, temperaturat e larta dhe lagështia e ulët ajrore kanë ndikuar, që infeksioni në kokrrën e ullirit nga larvat e B. oleae (Rossi)  të jetë në nivele të ulëta. Ulja e temperaturave dhe ditët me vranësira, kanë sjellë shtim të numrit të mizave të kapura në kurthe.

Niveli maksimal i infeksioni nga miza e ullirit është arritur në datë 21 shtator. Për sa më sipër, konkludojmë që problematikat fitosanitare nuk kanë shërbyer si faktor të rënies së nivelit të prodhimit të ullirit për vitin 2023.

Çfarë po bëhet për shtimin e kapaciteteve grumbulluese, depozituese, paketuese dhe etiketimin te vaji i ullirit? 

Programi “Ulliri dhe cilësia e vajit të ullirit në Shqipëri shtator 2023 – 2024” propozuar për zbatim në periudhën 2023 – 2024 implementuar nga KASH  në bashkëpunim me ministrinë dhe subjekte të tjera private dhe publike ,financuar nga Projekti Risi Albania synon të koordinojë veprimtarinë praktike të 24 subjekteve private dhe publike për të përshpejtuar zgjidhjen e problemeve emergjente afatshkurtër, si dhe për të futur në rrugën e zgjidhjes së qëndrueshme problemet afatmesme dhe afatgjata.

Objekt i asistencës janë subjektet prodhuese të ullirit, përpunuesve të tij, grumbulluesve për tregun e vendit, eksportuesve dhe konsumatorëve të vajit të ullirit, me qëllim që t’u krijohen më shumë kushte lehtësuese përmes dhënies së një asistence dobiprurëse në hallkat kryesore të zinxhirit të vlerës nga 24 subjektet në program.

Ky program përfshin 4 fusha kryesore: Procesi i përmirësimit të kooperimit dhe koordinimit; Fusha e Mekanizimit , Inovacionit dhe Digjitalizimit; Fusha e Financës dhe disbursimit të fondeve grant; Fusha e përmirësimit të akteve ligjore dhe nënligjore.

Asistenca është programuar që të vijojë me informimin, ndërgjegjësimin dhe konsolidimin e gjithë veprimtarisë, për arritjen e objektivave hap pas hapi, në të gjitha hallkat e zinxhirit të vlerës.

-Asistence për përmirësimin e kontrollit të cilësisë dhe përdorimin e teknologjisë bashkëkohore të subjekteve te prodhimit të fidanëve të ullirit, të pastër nga viruset dhe infeksionet dhe masat për parandalimin e sëmundjeve

-Asistencë për krijimin dhe funksionimin e Qendrave te Menaxhimit të Cilësisë së ullirit dhe vajit të ullirit në subjekte dhe grup subjektesh, të cilat janë programuar dhe dëshirojnë për t’u angazhuar ne zbatimin e programit.

-Asistencë Shoqërive të Bashkëpunimit, me objekt shërbimet ndaj bimës së ullirit, pajisjen me inventarin e makinerive të duhura, për vjeljen e mekanizuar, transportin dhe përpunimin e ullirit, ruajtjen dhe ambalazhimin e vajit në kushte optimale.

-Asistencë për krijimin dhe funksionimin e Shoqërive të Bashkëpunimit dhe klasterave për ullirin dhe vajin e ullirit.

-Krijimi i hartës digjitale të vendndodhjes së linjave të përpunimit të ullirit për vaj. Si dhe hartimi e përdorimi i një programi digjital komunikimi midis subjekteve të angazhuara në program përmes platformës elektronike ABA Online dhe Portalit të fermerit.

-Asistencë grumbulluesve dhe eksportuesve të vajit për përgatitjen dhe promovimin e një ofertë për sezonin 2023-2024 sipas kërkesave të tregut të vendit dhe atij për eksport, bazuar në modelin dhe programin e zbatuar në periudhën shtator 2022 -2023.

-Asistencë dhe informim për financim nga Programi IPARD III, Skema Kombëtare e Mbështetjes me grante përmes buxhetit të shtetit, Bankat e nivelit të dytë, FED Invest sh.p.k., dhe donatorët, për të mundësuar një linjë kredie me kushte lehtësuese.

Si dhe ndërgjegjësim, promovim, mbështetje logjistike dhe financiare të subjekteve të angazhuara në program nga donatorët, që e kanë, si objekt vajin e ullirit dhe pranojnë të angazhohen në zbatimin e programit.

-Asistencë për krijimin dhe funksionimin e Qendrave te Menaxhimit të Cilësisë së ullirit dhe vajit të ullirit në subjekte dhe grup subjektesh, të cilat janë programuar dhe dëshirojnë për t’u angazhuar në zbatimin e programit.

-Asistencë linjave të përpunimit të vajit për hartimin e Plan biznesit, projektet e vendosjes së depozitave të vajit, mënyrën e përdorimit të laboratorëve digjital portativ, për kryerjen e analizave të shpejta, për klasifikimin e vajit sipas cilësisë edhe në periudhën tetor – dhjetor 2023 e në vijim. Gjithashtu dhe për kushtet e ruajtjes dhe tregtimin e vajit të ullirit në kohën e duhur, në gjendje ekstra të virgjër dhe të virgjër, në përputhje me kërkesat e tregut, për të përfituar sa më shumë të ardhura.

Po nisma për organizmin e fermerëve me bashkimin e ngastrave a po vazhdon? Në sa bashki ka gjetur nisma zbatim dhe çfarë bashkish të tjera pritet të vijojë?

Duke ditur fragmentarizmin e tokës që ka vendi ynë, për t’i dhënë zgjidhje uljes së kostos së prodhimit synohet të shkohet drejt kooperimit, bashkimit të prodhuesve, grupimit të ngastrave të tokës dhe të ngritjes së pikave të rafinimit të vajit të ullirit.

Ministria, edhe nëpërmjet masave të Skemës Kombëtare inkurajon bashkimin e fermerëve, konsolidimin e tokës dhe konsolidimin e kulturave të mbjella, duke vendosur si kusht mbështetjeje, kultivimin e kulturave në sipërfaqe të mbjella jo më pak se 1 hektar.

Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor këshillojnë dhe inkurajojnë fermerët në mënyrë të vazhdueshme për organizimin e tyre, krijimin e grupeve të prodhuesve, fermerëve apo Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB).

Po për ngritjen e laboratorëve të akredituara pranë Universitetit Bujqësor me qëllimin ofrimin falas së analizave për cilësinë e vajit të ullirit a ka nisur puna?

Lidhur me ofrimin falas të analizave për cilësinë e vajit të ullirit, theksojmë se këto analiza janë mbështetur nëpërmjet projektit Risi Albania.

Burimi: Revista Monitor

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit