Kryeqendra e Juglindjes mbrëmjen e djeshme ka nisur sezonin turistik dimëror me ceremoninë e ndezjes së dritave, në një atmosferë tepër festive dhe me aktivitete të ndryshme. Dekori i vendosur nga pushteti vendor ishte kompozuar me elemente të reja dhe dekore plot ndriçim në çdo pjesë të qytetit të bukur të Korçës, ku godina e bashkisë ishte veshur e gjitha me ndriçim.
Kreu i kësaj Bashkie Sotiraq Filo nga ceremonia e ndezjes së dritave që tashmë është bërë në një traditë, tha se Korça edhe këtë vit do të jetë kryeqyteti i festave në vend, me një kalendar të ngjeshur të aktiviteteve të shumta të cilat do të jenë të shpërndarë në të gjithë qytetin.
Qytetarët e ndryshëm dhe turistët teksa morën pjesë në këtë ceremoni të veçantë, thanë se atmosfera ishte shumë e bukur dhe se kanë vajtur në Korçë, për ndezjen e dritave dhe për të parë pamjen përrallore që ky qytet sjell gjatë muajit dhjetor.
Në mbrëmjen e ndezjes së dritave, u zhvilluan një sërë aktivitetesh ku kulmuan me koncertin e këngëtarit Altin Goci, një koncert ky që mbajti në shesh mijra njerëz. Teksa ambientet akomoduese për këtë fundjavë ishin plotësisht të rezervuara nga vizitorët e qyteteve të tjera. Edhe në fshatrat turistik të Dardhës dhe Voskopojës, rezervimet ishin të shumta për fundjavën.