(FOTO) Nostalgji: Epoka e hekurudhës! Stacioni fantazëm i trenit në Pogradec dhe personeli që ka punuar…
Treni nisej çdo mëngjes në orën 5:00 nga stacioni fundor i Pogradecit për të shkuar në kryeqytet rreth orës 11:00. Pasagjerët nga Pogradeci dhe fshatrat shkonin disa orë më herët në zonën e “Gurit të Kuq” aty ku ndodhej stacioni, për të prerë biletën. Deri në këtë vend, një urban ishte dedikuar për linjën Pogradec Qendër – Guri i Kuq. Nuk mungonin dhe qytetarët nga Korça që udhëtonin me autobusët e trenit për në këtë stacion. Treni i kësaj linje ndalonte në më tepër se 10 stacione të ndryshme, në qytetet ku kalonte hekurudha.
Një biletë që nuk kushtonte në më shumë se 100 lekë, thjeshtësonte kostot e transportit të qytetarëve që përdornin këtë alternativë. Për fëmijët çmimi i biletës ishte vetëm 50% e vlerës, ndërsa invalidët nuk paguanin koston e transportit. Në tren kishte një dyqan, një mjek dhe një vagon për nënat me fëmijë.
Vitet e para ambientet e brendëshme të vagonave ishin tepër komod, madje kishte dhe një vagon ku mund të vendosje ngarkesa të mëdha ose orendi shtëpiak. Ndërsa më vonë të shumtë ishin fëmijët përgjatë zonave ku kalonte treni, që gjuanin me gurë xhamat e tij. Në vitet e fundit të funksionimit të hekurudhës, kushtet brenda vagonave ishin përkeqësuar, pasi nuk kishte asnjë investim për trenat në Shqipëri. Rreth viteve 2007-2008 udhëtimet po vinin duke u ulur me mjetin e hekurt, deri në vitin 2013 që hekurudha nuk funksionoi më.
Punonjës në vite të hekurudhës kanë lënë gjurmë pozitive për komunitetin Pogradecar. Çdokush që udhëtonte shpesh me tren, patjetër do të njihte Vjollcën, Mondën, dy Elenat, Sonjën etj zonja të cilat punonin si faturino. Zonja të sjellshme dhe që orjentonin pasagjerët për t’i pozicionuar në vendet e tyre. Nga ana tjetër, një nga dispeçerët ishte Nevruz Oparaku, i cili gjatë viteve të punës realizoi me përpikmëri detyrën duke orjentuar me saktësi trafikun hekurudhor të Pogradecit, duke mos pasur asnjë problem. Por, nuk ishin të vetëm, qindra të punësuar që nga sportelistët, mekanikët, mashinistët, policët dhe sanitaret kanë investuar për qytetin e tyre nëpërmjet kontributeve që jepnin në hekurudhën e Pogradecit.
Sot ajo që ka mbetur është ngrehina e vjetër e stacionit. Të rinjtë nuk e njohin këtë formë të transportit dhe nuk ndihejnë emocione për transportin hekurudhor. Shumë detaje, të rinjëve i duken si histori që burojnë nga librat.
Të shumtë janë dhe qytetarët që kërkojnë rikthimin e transportit hekurudhor, për të ulur kostot e transportit, por edhe pse ka diskutime të shumta për kthimin e hekurudhës, ende nuk ka asnjë iniciativë kryesore. Por, objektivë e shumë qeverive që kanë kaluar, ka qënë rikthimi i hekurudhës dhe lidhja e saj me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.A.B.Pogradecipress.al
Foto nga Arkiva: Stacioni i trenit, tabelat e orareve, çmimet e biletave, trenat dhe biletat.