22.6 C
Pogradec
23.7 C
Korçë
23.4 C
Bilisht
21.8 C
Ersekë
23.1 C
Maliq
23.3 C
Liqenas
Thursday, October 10, 2024

Sot, 36-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit

- Advertisement -

Llazar Gusho, i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, u lind në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si pot, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921, ai shkoi në Rumani për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924, Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë si Noli, Fishta, Poradeci e Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, po ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygos, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, Emineskut etj.

Më 12 nëntor 1987, Lasgush Poradeci vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë, si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit