Korani që rritet vetëm në liqenin e Ohrit nuk është më specie e rrezikuar. Organizata e Menaxhimit te Peshkimit bën të ditur se çdo vit hidhet rasat dhe kjo ka shtuar sasinë e peshkut në liqen. Po kështu është ndaluar gjeuetia e paligjshme.
Tetori është muaj kur hidhet rasati i koranit në liqenin e Ohrit në Pogradec.
Martin Jaçe menaxher i Organizatës së Peshkimit tha për Report Tv se këtë vit do lëshohen 1.7 milion rasat ose 60 % më shumë se vitet e kaluara. Shifër kjo që pritet të shkojë në vitet e ardhshme deri në 3 milion rasat.
“Kjo shpërndarje bëhet nga Lini në Tushemisht”, tha Martin Jaçe.
Korani prej vitesh nuk është në listën e specieve në zhdukje dhe kjo ka ardhur falë masave të marra për të ndaluar gjuetinë e paligjshme dhe shtimin e popullatën përmes hedhjes së përvitshme të rasatit.
“Kjo vjen nga grumbullimi i vezëve dhe menaxhimit të liqenit dhe rregullimit ligjor. Është një punë e kordinuar për menaxhimin e liqenit të Ohrit. Ka vite që nuk përdoret më termi specie e rrezikuar”, tha më tej Jaçe.
Në Pogradec janë të licencuar 220 peshkatarë të cilët mund të gjuajnë koran, gjithashtu dhe mjetet e peshkimit janë të evidentuara nga Organizata e Menaxhimit te Peshkimit. Nga të dhënat zyrtare mësohet se çdo vit peshkohet afro 800-900 kuintal koran.
Burimi: Shqiptarja.com