Ditën e sotme është çelur zyrtarisht sezoni turistik me aktivitete të shumta në Qytetin e Pogradecit. Banda e Frymëzimit “Fanfara Tirana” ka çelur ciklin me aktivitete, që ka vazhduar më pas me performancën muzikore të fëmijëve dhe grupi Nostalgjia. Paralelisht po zhvilloheshin sportet ujore nga grupet e reja pogradecare. Në këtë nisje të sezonit nuk munguan ekspozimet e kulinarisë të zonës dhe fotot e vjetra të Pogradecit gjithashtu dhe një panair me produkte tradicionale.
Kreu i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli ftoi vizitorët të vijnë në Pogradec duke përmendur ofertat e larmishme turistike që ofron ky qytet. Gjithashtu ai tha se rreth 18000 turistë gjermanë pritet të vizitojnë Pogradecin për shkak të një marëveshjeje me kompanitë turistike.
Prefekti i Qarkut Nertil Jole potencoi se oferta turistike duhet të trajtohet si paketë rajonale, teksa uroi dhe një sezon të mbarë.
Eduart Likollari, Operator Turistik, tha se Pogradeci është i pakonkurrueshëm përsa i përket kulinarisë, e cila ndërthur tradicionalen me modernen. Ai shtoi se këtë vit ka nisur më shpejtë ardhja e turistëve për shkak të kohës.
Aktivitetet në kuadër të çeljes së sezonit turistik pritet të zhvillohen gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje në Pogradec.

