Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka nisur procesin e digjitalizimit të hartave kadastrale në Drejtorinë Vendore Korçë, në kuadër të modernizimit të shërbimeve kadastrale dhe përmirësimit të administrimit të të dhënave.
Sipas ASHK-së, procesi përfshin 271 zona kadastrale që administrohen nga Drejtoria Vendore Korçë dhe do të realizohet sipas kalendarit të punës të hartuar nga institucioni.
Në këtë fazë, po kryhet inventarizimi dhe skanimi i planshetave të hartave, për të vijuar më pas me gjeoreferimin, digjitalizimin dhe integrimin e materialeve në sistemin elektronik.
ASHK bën të ditur se, gjatë zhvillimit të punimeve, sipas zonave kadastrale përkatëse, shërbimet që kërkojnë veprime mbi hartën kadastrale do të pezullohen përkohësisht deri në 21 ditë.
Kadastra bën të ditur se, të gjitha shërbimet e tjera për qytetarët do të vijojnë të ofrohen normalisht gjatë gjithë periudhës së zbatimit të procesit./ATSH

